Sulme me dronë në Moskë lënë mijëra pa energji

Qindra mijëra njerëz në Moskë mbesin pa energji pas sulmeve me dronë

Sulmet me dronë nga Ukraina kanë shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike për qindra mijëra banorë të Moskës, duke lënë pjesë të qytetit në errësirë.

Zyrtarë ukrainas pretendojnë se rreth gjysmë milioni njerëz kanë mbetur pa energji elektrike, në mes të dimrit, si pasojë e këtyre sulmeve.

Pamjet e shpërndara në mediat sociale pas sulmeve tregojnë blloqe të tëra banesash të zhytura në errësirë. Gjithashtu, në disa zona të kryeqytetit rus janë fikur edhe llambat e rrugëve.

Ish-sekretarja për shtyp e Volodymyr Zelensky-t, Iuliia Mendel, raportoi se “Një ndërprerje totale e energjisë elektrike ka goditur rajonin e Moskës, sipas raporteve në mediat sociale. Mbi 600,000 njerëz u zhytën në errësirë për më shumë se katër orë, pa energji elektrike, pa sinjal celular, duke përjetuar izolim total. Kërcënimi nga dronët është shpallur tashmë në të gjithë rajonin.”

Ndërkohë, gazeta britanike “The Sun” shkruan se numri i banorëve rusë të prekur nga ndërprerja e energjisë elektrike mbetet i paverifikuar. Raportet sugjerojnë se numri i personave të mbetur pa energji elektrike varion mes 100,000 dhe 600,000.

Raportime të ndryshme bëjnë me dije se një zjarr në një nënstacion ka shkaktuar ndërprerjet e energjisë elektrike, të cilat besohet të jenë pasojë e një sulmi me dron.

Ushtria ruse ka deklaruar se ka rrëzuar më shumë se 100 dronë ukrainas brenda katër orësh. Kjo ngjarje vjen pasi raportet në mediat sociale sugjeruan se një grup i madh dronësh u panë duke fluturuar drejt kryeqytetit rus.

Scroll to Top