Sulmet ruse në Ukrainë vazhdojnë pa ndërprerje; Kievi nuk gjen qetësi
Shpërthime të fuqishme tronditën Kievin gjatë natës nga e premtja në të shtunën, pasi forcat ruse lëshuan një breshëri sulmesh me raketa dhe dronë ndaj kryeqytetit ukrainas, siç raportojnë zyrtarët vendas.
Sipas një bilanci paraprak të publikuar nga kreu i komandës ushtarake të Kievit, Timur Tkachenko, pak pas orës 3 të mëngjesit, një person humbi jetën dhe shtatë të tjerë u plagosën, përfshirë një minoren.
“Gjashtë persona u plagosën në kryeqytet si pasojë e sulmit armik. Tre prej tyre, përfshirë një fëmijë 13-vjeçar, u dërguan në spital”, njoftoi më herët kryebashkiaku Vitali Klitschko në një postim në platformën Telegram.
Komplekse banimi dhe disa automjete u dëmtuan në gjashtë lokacione në kryeqytetin ukrainas, tha Timur Tkachenko, i cili dënoi “përpjekjen e rusëve për të terrorizuar popullsinë civile”.
Nga ana e tij, guvernatori rajonal Mykola Kalashnik deklaroi nëpërmjet Telegram se dy gra u plagosën në një “sulm armiqësor me dron dhe raketë” në periferi të Brovary, në lindje të kryeqytetit.
