Britania përballet me “super-gripin”: Spitalet po përballojnë një valë shtrimesh
Në Britani po rritet shqetësimi për atë që po e quajnë “super-grip”. Bëhet fjalë për një valë gripi që ka sjellë një rritje të infeksioneve gjatë këtij sezoni, veçanërisht tek fëmijët dhe adoleshentët.
Ministri britanik i Shëndetësisë, Wes Streeting, e cilësoi situatën si “sfidën më serioze që spitalet e NHS-së kanë përballuar ndonjëherë që nga pandemia e Covid-it”. Ai përmendi mbi 2600 shtrime në spital në ditë dhe numra mbi mesataren sezonale.
Ekspertët britanikë të shëndetësisë kanë paralajmëruar se ky dimër mund të jetë ndër më të vështirët deri më tani.
Virusi që po qarkullon në Britani është identifikuar si H3N2. Ekspertët shpjegojnë për “The Independent” se “H3N2 ndryshon rregullisht, kështu që versioni i virusit që qarkullon këtë vit mund të jetë i ndryshëm nga vitet e kaluara ose nga ai që mbron vaksina sezonale, gjë që mund t’i bëjë njerëzit më të prekshëm”.
Cilat janë simptomat?
Shenjat dhe simptomat e këtij gripit zhvillohen shumë shpejt, ndërsa lodhja ekstreme është më e zakonshmja. Pacientët ankohen gjithashtu për ethe, kollë, hundë të lëngshme dhe simptoma të tjera si dhimbje trupi, të vjella ose diarre.
Personat që konsiderohen me rrezik të lartë për zhvillimin e komplikacioneve përfshijnë:
- Fëmijët nën 5 vjeç
- Të rriturit 65 vjeç e lart
- Gratë shtatzëna
- Personat me sëmundje kronike si astma, diabeti, sëmundjet e zemrës
- Personat me sisteme imunitare të dobësuara
- Personat me gjendje neurologjike
Dr. Giuseppe Aragona shpjegoi se sezoni i gripit këtë vit ka filluar më herët se zakonisht, duke i dhënë virusit më shumë kohë për t’u përhapur. Ai shtoi se virusi gjithashtu ka “evolucionuar” nga lloji i vitit të kaluar, që do të thotë se imuniteti i mëparshëm ose vaksina mund të ofrojnë më pak mbrojtje.
“Për më tepër, moti më i ftohtë, grumbullimet në ambiente të mbyllura dhe zakonet shoqërore kontribuojnë në një transmetim më të shpejtë, duke krijuar kushtet ideale për shkallë më të larta të gripit”, – tha ai.
Ekspertët theksojnë se ky lloj gripi ka zhvilluar 7 mutacione të reja gjatë verës, duke e bërë atë mjaft të ndryshëm nga lloji i mëparshëm i përfshirë në vaksinën e këtij viti.
Dimrin e kaluar, rreth 8,000 vdekje në Mbretërinë e Bashkuar ishin të lidhura me gripin.
Dr. Aragona këshillon se mënyra më efektive për t’u mbrojtur nga H3N2 është marrja e vaksinës kundër gripit, veçanërisht për personat që i përkasin një “grupi me rrezik më të lartë”.
