Takimi i Ramës në vilën qeveritare në Pogradec, zbardhen diskutimet e para, çfarë i pret socialistët në Shtator
Ditët e fundit të gushtit shënojnë fillimin e një periudhe të rëndësishme politike për Partinë Socialiste, e cila aktualisht po kryen mandatin e saj të katërt qeverisës. Kryeministri Edi Rama ka filluar një seri takimesh në Pogradec, ku fokusi kryesor është organizimi i socialistëve, dokumenti “Besa”, përgatitjet për zgjedhjet lokale të vitit 2027 dhe performanca e kabinetit qeveritar.
Takimi i parë është zhvilluar të dielën në vilën qeveritare në Pogradec, ku janë mbledhur 12 drejtues politikë të qarqeve, së bashku me kryetarët socialistë të komisioneve parlamentare. Në qendër të diskutimeve kanë qenë dokumenti “Besa” dhe një tjetër dokument i njohur si “Prania e Besës”, të cilat i janë dorëzuar grupit parlamentar socialist në fund të korrikut. Pritet që Rama të marrë nga drejtuesit reflektimet mbi këto dokumente, me qëllimin e pasurimit të tyre dhe arritjes së një versioni përfundimtar.
Pjesë e diskutimeve pritet të jenë edhe përgatitjet e strukturave të PS-së për zgjedhjet lokale të vitit 2027. Në mbrëmje, kryeministri do të zhvillojë një darkë me drejtuesit politikë, kryetarët e komisioneve parlamentare dhe ministrat.
Ky takim shërben si parapërgatitje për mbledhjen e së hënës, ku qeveria do të shqyrtojë një bilanc të punës së kryer gjatë muajve të parë të vitit. Si pjesë e këtij “retreat”-i qeveritar, ministrat do të raportojnë për ecurinë e dikastereve të tyre gjatë periudhës janar-gusht 2026. Në këtë mbledhje nuk pritet të marrin pjesë zëvendësministrat, ndërsa raportimet do të zhvillohen nga ministrat dhe drejtuesit e agjencive në varësi të tyre.
Përveç rezultateve dhe objektivave të dikastereve, në vlerësim pritet të përfshihet edhe komunikimi publik i ministrave, duke përfshirë prezencën në media dhe aktivitetin në rrjetet sociale.
Axhenda politike e socialistëve pritet të vijojë edhe në fillim të shtatorit me mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të PS-së. Një takim i tillë mund të shërbejë për përcaktimin e prioriteteve të reja politike dhe organizative. Mbledhjet e Asamblesë në të kaluarën kanë shërbyer gjithashtu si momente kur Rama ka bërë ndryshime në kabinetin qeveritar. Për këtë arsye, takimet e Pogradecit dhe zhvillimet e ditëve në vijim pritet të monitorohen nga afër për sinjale të mundshme mbi përbërjen e qeverisë.
