“`html
2024, taksat “e gjelbra” arrijnë rekordin prej 675 milionë euro, por pak kthehen në mjedis
Arkëtimet buxhetore nga taksat mjedisore po rriten me shpejtësi nga viti në vit, por aftësia e qeverisë për t’i shpërndarë këto fonde në favor të mbrojtjes së mjedisit nuk po ecën me të njëjtin ritëm.
Të dhënat e fundit nga Instituti i Statistikave (INSTAT) konfirmojnë se arkëtimet nga taksat mjedisore kanë arritur një nivel rekord në vitin 2024, duke shkuar rreth 66,2 miliardë lekë, ose afërsisht 675 milionë euro. Megjithëse kjo shifër shënon një rritje prej 9,45% brenda një viti, struktura e arkëtimeve sugjeron se këto taksa po shërbejnë më shumë si një burim i qëndrueshëm për mbushjen e arkës së shtetit sesa si një mjet për investime konkrete në mbrojtjen e natyrës.
Pjesa dërrmuese e këtyre të ardhurave, plot 82,2%, vjen nga taksat e energjisë, ku taksimi mbi karburantet ka peshën kryesore. Së bashku me taksat e transportit, këto dy kategori përbëjnë mbi 95% të të gjitha të ardhurave që shteti arkëton në emër të mjedisit. Ndërkohë, qytetarët dhe bizneset po paguajnë gjithnjë e më shumë për lëvizjen dhe prodhimin, ndërsa taksat që lidhen direkt me ndotjen dhe emetimet mbeten në nivele minimale, duke zënë vetëm 4,7% të totalit.
Edhe pse të ardhurat mjedisore përbëjnë tashmë 10,04% të totalit të të ardhurave tatimore në vend, vihet re një mospërputhje mes shumës së mbledhur dhe asaj që deklarohet si mbrojtje e burimeve natyrore. Taksat mbi burimet natyrore (si uji, pyjet dhe fauna) jo vetëm që kanë një peshë të papërfillshme prej 0,08%, por gjatë vitit 2024 pësuan një rënie drastike prej 18,77%. Kjo tendencë ngre pikëpyetje mbi efikasitetin e këtyre instrumenteve.
Sipas metodologjisë së ESA 2010, këto taksa duhet të shërbejnë për të ndikuar në sjelljen e bizneseve dhe konsumatorëve. Megjithatë, fakti që të ardhurat rriten kryesisht përmes taksimit të energjisë dhe transportit, tregon se fokusi mbetet te mbledhja e detyrueshme e fondeve, duke lënë mjedisin në një rol dytësor përballë nevojave buxhetore.
Në vitin 2024, pesha e këtyre taksave ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto u rrit në 2,63%, duke konfirmuar se shqiptarët po paguajnë më shumë se kurrë në emër të mbrojtjes së mjedisit, por pa marrë mbrapsht shërbimet për të cilat paguajnë.
Situata aktuale tregon se vendi ende përballet me probleme serioze, si djegia e mbetjeve urbane në hapësira të hapura dhe mungesa e metodave moderne të pastrimit të akseve kryesore rrugore në qytetet e mëdha. Tirana kryeson në nivelin e ndotjes, për shkak të valës së ndërtimeve dhe rritjes së flotës së makinave me naftë, ndërkohë që pastrimi i qytetit po bën hapa pas.
Burimi: INSTAT
“`
