Talebanët shtrëngojnë rregullat: Gratë pa burka nuk hyjnë në spital

Talebanët shtrëngojnë rregullat: Gratë nuk lejohen të hyjnë në spital pa burka

Autoritetet talebane në Afganistan kanë urdhëruar që pacientet femra, kujdestaret dhe stafi të veshin burka – një vello të plotë islamike – për të hyrë në mjediset e shëndetësisë publike në qytetin perëndimor të Heratit.

Organizata bamirëse mjekësore Médecins Sans Frontières (MSF) raporton se kufizimet hynë në fuqi më 5 nëntor. “Këto kufizime pengojnë më tej jetën e grave dhe kufizojnë aksesin e tyre në kujdesin shëndetësor,” tha për BBC-në Sarah Chateau, menaxhere e programit të agjencisë në Afganistan. Ajo shtoi se edhe ata që “kanë nevojë për kujdes urgjent mjekësor” janë prekur.

Një zëdhënës i qeverisë talebane ka mohuar pretendimin e MSF-së, duke thënë se raportet sugjerojnë se kufizimet janë lehtësuar pjesërisht që kur është ngritur alarmi.

MSF, e cila mbështet shërbimet pediatrike në Spitalin Rajonal të Heratit, tha se kishte vërejtur një rënie prej 28% të pranimeve të pacientëve me gjendje urgjente gjatë ditëve të para të zbatimit të masave të reja. Zonja Chateau tha se anëtarë talebanë u kishin mohuar hyrjen grave pa burka duke qëndruar në hyrje të institucioneve shëndetësore.

Një burka është një vello e vetme që mbulon fytyrën dhe trupin, duke lënë shpesh vetëm një rrjetë për të parë përmes.

Një zëdhënës i talebanëve për Ministrinë e Përhapjes së Virtytit dhe Parandalimit të Veseve, e cila zbaton doktrina të rrepta fetare, hodhi poshtë raportet se gratë po detyroheshin të mbanin burka. “Kjo është krejtësisht e gabuar. Qëndrimi i ministrisë së veseve dhe virtyteve është përgjithësisht mbi mbajtjen e hixhabit,” tha Saif-ul-Islam Khyber. Zyrtari taleban hodhi poshtë gjithashtu raportet se grave u është ndaluar hyrja në qendrat mjekësore për shkak se nuk mbajnë burka. Në të njëjtën kohë, ai shtoi se “Hixhabi interpretohet ndryshe në pjesë të ndryshme të vendit, shumica e të cilave janë në kundërshtim me ligjin e Sheriatit.”

Aktivistët kanë pohuar gjithashtu se rojet talebane kanë detyruar gratë të veshin burka për të hyrë në objektet kryesore gjatë javës së kaluar. Një aktiviste femër nga provinca Herat i tha BBC-së se kodi i veshjes ishte i zbatueshëm për ata që donin të hynin në spitale, shkolla dhe zyra qeveritare.

Ka pasur gjithashtu kritika në mediat sociale lidhur me vendimin e raportuar të talebanëve për të vendosur burkën në Herat. Një aktivist afgan postoi një video në X ku shihen disa gra që i vënë flakën rrobave në shenjë proteste ndaj sundimit të talebanëve.

Talebanët e zbatuan burkën gjatë mandatit të tyre të parë në pushtet në vitet 1990. Që nga marrja e pushtetit në gusht 2021, qeveria talebane ka vendosur kufizime të shumta, veçanërisht për gratë, në përputhje me interpretimin e tyre të ligjit islamik të Sheriatit.

Scroll to Top