Tatimet: Kemi kompensuar 111 milionë lekë shoqëritë e transportit, Tiranën e ka Bashkia
Drejtoria e Tatimeve ka njoftuar se më 1 gusht 2026 ka përfunduar procesi i aplikimit për kompensimin e transportit publik. Administrata Tatimore po kryen kompensimin për 95 subjekte që kanë aplikuar për të përfituar nga skema e kompensimit për rritjen e çmimit të karburantit.
Vlera totale e kompensimit për shoqëritë e transportit qytetës, rrethqytetës dhe ndërqytetës arrin në 110.7 milionë lekë. Tatimet sqarojnë se këto shifra nuk përfshijnë kompensimin për shoqëritë e linjave qytetëse të Tiranës, i cili mbulohet nga Bashkia Tiranë.
Numri i subjekteve që kanë aplikuar pranë Administratës Tatimore për t’u kompensuar nga Bashkia e Tiranës është 20, për një vlerë prej 66.1 milionë lekë. Një ditë më parë, shoqëritë e transportit kryeqytetas u ankuan se nuk kishin marrë kompensimin e premtuar dhe paralajmëruan reduktim të linjave.
