Tatime Sekuestrojnë Kompjuterat e Agjencive Imobiliare

Tatimet sekuestrojnë kompjuterat e agjencive imobiliare, pas evazionit me çmimet e apartamenteve

Në kuadër të Planit Operacional për sektorin e Ndërtimit, Drejtoria e Hetimit Tatimor, në bashkëpunim me Drejtorinë e Verifikimit dhe Koordinimit në Terren, ka kryer kontrolle në 9 subjekte që ushtrojnë aktivitet si agjenci imobiliare.

Kontrollet u fokusuan në:

  • Verifikimin e deklarimit të pagave reale të punonjësve.
  • Regjistrimin e punonjësve pranë organit tatimor.
  • Realizimin e shitjeve dhe lëshimin e faturave të fiskalizuara.
  • Kryerjen e verifikimeve të tjera të nevojshme gjatë procesit të kontrollit.

Kontrollet evidentuan shkelje të rënda, si:

  • Punonjës të padeklaruar.
  • Dokumentacion jotatimor.
  • Mungesë transparence në çmime.
  • Mosrespektim të detyrimeve ligjore për faturimin dhe fiskalizimin e shitjeve.

Bazuar në provat e mbledhura, përfshirë intervistat dhe vetëdeklarimet e punonjësve, strukturat e specializuara të Administratës Tatimore sekuestruan njësi kompjuterike. Ky veprim synon vijimin e hetimit të thelluar, dokumentimin e mëtejshëm të shkeljeve tatimore dhe referimin e tyre në organet përkatëse të drejtësisë.

Informacioni i nxjerrë nga njësitë kompjuterike ka zbuluar evazion tatimor lidhur me çmimet e shitjeve të apartamenteve.

Administrata Tatimore thekson se ky aksion nuk është i përkohshëm. Ai do të vijojë me seriozitet dhe vendosmëri ndaj çdo subjekti që nuk reflekton pagat reale në listëpagesat e ardhshme, duke dëmtuar kështu pensionet e punonjësve, konkurrencën e ndershme dhe interesin publik.

Tatimet i ftojnë të gjithë tatimpaguesit në fushën e ndërtimit të deklarojnë menjëherë pagat reale për të shmangur masat administrative dhe penale, të parashikuara nga legjislacioni në fuqi, për veprën e fshehjes së të ardhurave.

Në kuadër të zbatimit të Planit Sektorial për Ndërtimin dhe rritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore përmes deklarimit të pagave reale sipas profesioneve në këtë sektor, Administrata Tatimore ka nisur kontrollet në terren. Këto kontrolle filluan rreth 30 ditë pas publikimit të listës së pagave indikative për sektorin, konkretisht duke filluar nga data 15 janar.

Kontrollet do të zhvillohen kryesisht në subjektet e vlerësuara me risk për nëndeklarim të pagave. Këto subjekte janë njoftuar më parë nga Administrata Tatimore, por nuk kanë reflektuar ndryshime në listëpagesa, pavarësisht njoftimit elektronik të dërguar në llogaritë e tyre në sistemin tatimor, e-Filing.

Fokus kryesor i kontrolleve do të jetë verifikimi i pagave të deklaruara në listëpagesa, duke i krahasuar ato me pagat indikative sipas profesioneve përkatëse. Kjo listë është përcjellë në llogaritë elektronike të tatimpaguesve dhe është publikuar në faqen zyrtare të Administratës Tatimore.

Scroll to Top