Tatimet fillojnë kontrollet për pagat në sektorin e ndërtimit

“`html

Nga 15 janari, tatimet dalin në terren për deklarimin e pagave në ndërtim

Në kuadër të zbatimit të Planit Sektorial për Ndërtimin dhe rritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore, përmes deklarimit të pagave reale sipas profesioneve në sektorin e ndërtimit, Administrata Tatimore njofton se, pas rreth 30 ditësh nga publikimi i listës së pagave indikative për këtë sektor, konkretisht duke filluar nga data 15 janar, do të nisin kontrollet në terren.

Kontrollet do të zhvillohen kryesisht në subjektet e vlerësuara me risk për nëndeklarim të pagave. Këto subjekte janë njoftuar më parë nga Administrata Tatimore, por nuk kanë reflektuar ndryshime në listëpagesa, pavarësisht njoftimit elektronik të dërguar në llogaritë e tyre në sistemin tatimor, e-Filing.

Fokusi i kontrolleve do të jetë verifikimi i pagave të deklaruara në listëpagesa, duke i krahasuar ato me pagat indikative sipas profesioneve përkatëse. Kjo listë është përcjellë në llogaritë elektronike të tatimpaguesve, si dhe është publikuar në faqen zyrtare të Administratës Tatimore.

Çdo tatimpagues, që deklaron paga nën nivelin e pagave indikative, apo që ndryshon profesionin e punonjësve me qëllim shmangien e deklarimit real të pagave, duke rrezikuar pagesën e kontributeve shoqërore dhe pensionin, do të konsiderohet me risk. Si i tillë, do t’i nënshtrohet kontrollit nga strukturat e specializuara të Administratës Tatimore.

Administrata Tatimore u bën thirrje të gjithë tatimpaguesve të marrin masat e nevojshme ligjore për deklarimin e saktë të pagave të punonjësve, me qëllim shmangien e masave administrative dhe ligjore.

Mesazh elektronik dërguar tatimpaguesve të identifikuar me risk në sektorin e Ndërtimit (datë 15.12.2025):

Administrata Tatimore ka filluar zbatimin e planit në Sektorin e Ndërtimit (Procesi i ndërtimit dhe aktiviteteve ndihmëse të tij), me qëllim ndërgjegjësimin e tatimpaguesve, por edhe masat për deklarim real dhe në kohë të detyrimeve tatimore.

Administrata Tatimore disponon të dhëna për Ju, të marra nga APT, Organet e qeverisjes vendore, Agjencitë imobilare, deklaratat tatimore, listëpagesat mujore, faturat e fiskalizuara të vetëdeklaruara, si dhe ato që furnitorët tuaj deklarojnë për furnizime mallrash dhe shërbimesh ndaj jush, etj.

Administrata Tatimore ju nxit të përmbushni detyrimin në lidhje me:

  • Deklarimin e çdo punonjësi të punësuar.
  • Deklarimin real të pagave mbi bazën e profesionit dhe tregut të punës.
  • Për çdo shitje/transaksion të kryer nga ana juaj, lëshimin e faturave të fiskalizuara me NIVF/NSLF (përfshirë edhe parapagimet).
  • Blerjen e çdo malli/shërbimi me faturë të rregullt tatimore.
  • Deklarimin me saktësi të të dhënave në regjistrin e Tatimpaguesit.
  • Deklarimin e saktë të kontratave të qiramarrjes së ambienteve.
  • Përdorimin vetëm të softuerëve të çertifikuara të fiskalizimit.

Mospërmbushja e pikave të mësipërme dhe çdo sjellje mospërmbushëse me qëllim shmangien tatimore që vihet re në analizat e Administratës Tatimore, ju kategorizon si subjekt me risk, ndaj do të ndërmerren veprime verifikuese dhe monitoruese nga ana e strukturave të Administratës Tatimore.

Mosdeklarimi i punonjësve dhe nëndeklarimi i pagave të tyre konsiderohet një shkelje e rëndë pasi cënon garantimin e sigurimeve shoqërore dhe pensioneve. Për këtë qëllim, ndaj çdo tatimpaguesi të vlerësuar me këtë risk do të ndërmerren hetime dhe kontrolle të thelluara për çdo proces të aktivitetit të tyre, duke përfshirë edhe transaksionet me burime të ardhurash të dyshimta, në bashkëpunim edhe me agjenci të tjera ligjzbatuese.

“`

Scroll to Top