Ngrica me tenderin 7.7 milionë euro të sistemit të Tatimeve, ankimohet sërish
Tenderi për mirëmbajtjen e sistemit të fiskalizimit, i cili zhvillohet për llogari të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe me autoritet kontraktor Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), me një fond limit prej 7.7 milionë euro, është ankuar sërish në Komisionin e Prokurimit Publik. Ky ankimim vjen vetëm dhjetë ditë pas heqjes së pezullimit të mëparshëm.
Më herët, Komisioni i Prokurimit Publik (KPP) kishte marrë masën e pezullimit për të lejuar vijimin e procesit, pasi ishin konstatuar dhe korrigjuar mangësitë në dokumentet e tenderit. Megjithatë, tashmë një operator tjetër pretendon se këto ndryshime nuk janë të plota dhe lënë hapësirë për interpretim.
Në ankimimin e tij, kompania pretenduese ka renditur se paqartësitë janë evidentuar nga kompania e huaj me të cilën ajo bashkëpunon. Tani, KPP duhet të vendosë nëse do t’i kërkojë AKSHI-t që të rishikojë sërish dokumentet e tenderit, së bashku me Drejtorinë e Tatimeve, për të cilën po zhvillohet ky procedurë prokurimi e cila ka filluar në prill të këtij viti.
Tenderi për sistemin e fiskalizimit
Procedura e tenderit me objekt kontrate “Mirëmbajtje e Modulit të Menaxhimit të Kontrollit të Faturimit” për Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve u hap në prill të këtij viti. Sipas dokumentacionit shoqërues, qëllimi kryesor i projektit është mirëmbajtja e sistemit të Menaxhimit të Kontrollit të Faturimit (sistemi i fiskalizimit) për një periudhë prej 24 muajsh.
“Qëllimi është garantimi i funksionimit të plotë të sistemit elektronik, në të gjithë komponentët e tij: softuer dhe pajisje fizike (hardware). Ky sistem është i hostuar në Qendrën e të Dhënave Qeveritare, pranë Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), dhe ofron shërbime për rreth 125 mijë tatimpagues, si dhe për vetë administratën tatimore”, thuhet në dokumente.
Në dokumentacion theksohet se disponueshmëria e sistemit të fiskalizimit është shumë e rëndësishme. Shërbimi i fiskalizimit dhe portali i tatimpaguesve (SelfCare) nuk mund të pësojnë ndërprerje për më shumë se disa minuta dhe nuk tolerohen ndërprerje të planifikuara për qëllime përditësimi (upgrade, update) apo modifikime të tjera.
“Shërbimet e ofruara për tatimpaguesit (fiskalizimi, verifikimi i faturave, pranimi/refuzimi i tyre, etj.), si dhe për administratën tatimore, duhet të jenë funksionale 24 orë në ditë, 7 ditë në javë,” theksohet më tej.
Aktualisht, ky sistem përdoret nga bizneset dhe qytetarët, ndërsa në përdorim të brendshëm është i aksesueshëm nga administrata tatimore dhe institucione të tjera publike të autorizuara. Dokumentet e tenderit përshkruajnë kërkesat dhe përgjegjësitë për mirëmbajtjen e sistemit të fiskalizimit.
