Të shtëna me armë zjarri janë dëgjuar në periferitë jugore të Bejrutit, menjëherë pasi një armëpushim me Izraelin hyri në fuqi mesnatën e të enjtes. Gazetarë të AFP-së raportuan për këto incidente, ndërsa mediat zyrtare libaneze konfirmuan gjithashtu të shtëna me armë zjarri në fillim të armëpushimit 10-ditor, të shpallur të enjten nga Presidenti amerikan Donald Trump.
Sektori jugor i Bejrutit, i cili konsiderohet si një zonë e fortë e Hezbollahut, një organizatë e lidhur me Iranin, ka pësuar goditjet më të rënda nga sulmet ajrore izraelite që prej fillimit të armiqësive më 2 mars.
Nga ana tjetër, “Times of Israel” raporton se Hezbollahu nisi sulme me raketa drejt vendbanimeve në Izraelin verior, vetëm pak minuta para hyrjes në fuqi të armëpushimit. Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) deklaruan se vetëm një nga raketat ra në një zonë të hapur, ndërsa të tjerat u interceptuan.
Ndërkohë, Izraeli ka goditur 380 objektiva të Hezbollahut, individë dhe struktura mbështetëse në Libanin jugor, vetëm gjatë ditës së djeshme.
