Tensionet në Arktik: SHBA, Evropa dhe NATO

“Na duhet për sigurinë kombëtare”/ Pas deklaratave të Trump, europianët: Duhet të rrisim praninë e NATO-s në Groenlandë

Pretendimet e Presidentit amerikan Donald Trump ndaj Groenlandës kanë shkaktuar prej disa ditësh tensione diplomatike. Si pasojë, përfaqësuesit evropianë kanë propozuar rritjen e pranisë së NATO-s në rajonin e Arktikut.

Ndërkohë, presidenti Trump duket se nuk i ka marrë në konsideratë këto propozime.

Në sfondin e interesimit të Shteteve të Bashkuara për Groenlandën, vendet evropiane po përpiqen t’i ofrojnë mbështetje politike Danimarkës dhe Groenlandës. Pas një deklarate të përbashkët të nënshkruar nga disa vende evropiane, ku theksohet se “Groenlanda i përket popullit të saj” dhe se SHBA është një “partner i rëndësishëm” për sigurinë në Arktik, Gjermania, Britania e Madhe dhe një sërë shtetesh evropiane anëtare të NATO-s janë shprehur për zgjerimin e pranisë së aleancës në Arktik.

Sipas diplomatëve, bëhet fjalë për krijimin e një misioni mbikëqyrës të quajtur “Arctic Sentry” (Rojet e Arktikut). Me këtë iniciativë, vendet evropiane synojnë të kundërshtojnë argumentin amerikan se siguria në këtë rajon strategjikisht të rëndësishëm nuk mund të garantohet në mënyrë të mjaftueshme.

Pjesë e rëndësishme e territorit të NATO-s

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka theksuar se të gjithë aleatët e NATO-s janë të një mendjeje për rëndësinë e Arktikut dhe të sigurisë së këtij rajoni. Ai e cilësoi rajonin si “një pjesë e rëndësishme” e territorit të NATO-s dhe paralajmëroi për rrezikun që Rusia dhe Kina të bëhen “më aktive” atje në të ardhmen. “Aktualisht po punojmë për hapat e ardhshëm për të siguruar mbrojtjen e përbashkët ndaj këtij rreziku,” tha Stoltenberg.

Ai shtoi se Aleanca nuk kishte qenë “aq shumë” e përfshirë në Arktik në të kaluarën, por me kërkesë të vendeve nordike, anëtare të NATO-s, ka ndryshuar qëndrimin vitin e kaluar.

Edhe Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, pas takimit në Uashington me homologun e tij Marco Rubio, deklaroi se çështja e sigurisë në Atlantikun e Veriut duhet të zgjidhet brenda kornizës së NATO-s.

Trumpit nuk i bëjnë përshtypje deklaratat e evropianëve

Duket se këto propozime kanë rënë në vesh të shurdhër tek Presidenti amerikan Donald Trump në lidhje me pretendimin e tij për Groenlandën. I pyetur nga një gazetar në bordin e Air Force One, nëse fakti që Britania e Madhe dhe Gjermania po diskutojnë plane për rritjen e sigurisë në Arktik brenda kornizës së NATO-s ndryshon ndonjë gjë në përfytyrimet e tij, Trump u përgjigj se ato nuk e ndryshojnë vlerësimin e tij.

“Ne flasim për blerje, jo për marrje me qira,” theksoi ai.

Trump e bëri të qartë se qëllimi i tij është ta zotërojë Groenlandën për një periudhë afatgjatë. Ai e justifikoi këtë duke pretenduar se përndryshe Kina ose Rusia do ta aneksonin ishullin. “Nëse nuk e marrim Groenlandën, Rusia ose Kina do ta bëjnë këtë, dhe unë nuk do ta lejoj që kjo të ndodhë,” tha presidenti i SHBA-së. (Burimi: DW)

Scroll to Top