“`html
Tepelena, qyteti i shpopulluar, rifilloi garën për kryebashkiakun e ri
Në sheshin kryesor të Tepelenës, i cili kufizohet nga muret e Kalasë së Ali Pashë Tepelenës dhe godina e Bashkisë, banorët që lëvizin të dielën paradite mund të numërohen me gishtat e dorës. Bizneset e vogla përgjatë pedonales, kafene dhe dyqane, janë pothuajse të zbrazëta, ndërsa nuk duket asnjë shenjë e fushatës elektorale për zgjedhjet e pjesshme për bashkinë, që do të mbahen të dielën e 9 nëntorit.
Në ndërtesën përballë kalasë, në të njëjtin ambient, ndodhen zyra e Partisë Socialiste, ajo e Partisë Demokratike dhe Zyra Vendore e Punësimit, të treja të mbyllura. Pas godinës së bashkisë, disa klientë po ndjekin nga afër në një lokal, ceremoninë e varrimit të ish-kryeministrit Fatos Nano dhe po diskutojnë kohën kur ai ishte i burgosur në Bënçë të Tepelenës.
Megjithatë, ata duken hezitorë kur u kërkohet të komentojnë garën elektorale për qytetin e tyre. Kjo mund të jetë edhe për faktin se kafeneja në fjalë është në pronësi të familjes së ish-kryebashkiakut Tërmet Peçi, i cili la postin vakant pasi u zgjodh deputet i Kuvendit të Shqipërisë.
Në garë për Bashkinë e Tepelenës janë Gramos Sako i Partisë Socialiste, një ushtarak me profesion dhe ish-drejtues i Gardës së Republikës, si dhe arkitekti 26-vjeçar Gabriel Guma, i cili kandidon si i pavarur me mbështetjen e Partisë Demokratike.
Bashkia e Tepelenës ka rreth 12 mijë votues të regjistruar, por në zgjedhjet e fundit vendore morën pjesë vetëm 5184 banorë. Shpopullimi është një fenomen që ka prekur të gjithë qytetet e vogla të Shqipërisë me emigrimin jashtë vendit apo zhvendosjen drejt Tiranës, por në rrugët e zbrazëta të Tepelenës ndjehet më shumë se kudo.
“Nuk ka njerëz fare, po fare,” thotë Trëndafile Çela, pronare e një dyqani ku shitet pothuajse çdo gjë – nga lulet artificiale te rrobat apo materialet e ndërtimit. Ajo e thekson disa herë faktin që në qytetin e saj s’ka njerëz dhe me buzëqeshje pyet: “Shikon njerëz ti ore?”. Trëndafilja, 55 vjeç, thotë se ka vendosur të mbyllë biznesin, pasi “mezi i del të paguajë detyrimet” dhe të shkojë në Tiranë tek vajza. Kur e pyet për zgjedhjet për bashkinë, ajo është e dyshimtë dhe pa interes se cili prej kandidatëve do të fitojë. “Të vjen keq të thuash, po nuk do të ndryshojë asgjë,” thekson ajo.
Zbrazjen e qytetit nga banorët e përforcon edhe Danieli, një 35-vjeçar që vijon të jetojë në Tepelenë me punën e tij si kamarier. “Njerëz nuk ka, është për të ardhur keq,” thotë ai ndërsa papunësinë e sheh si shkak të braktisjes së qytetit. Danieli nuk e fsheh simpatinë për kandidatin e pavarur, për faktin që ai është i ri dhe mund të ketë prioritet punësimin e të rinjve, por shoku i tij, që nuk pranon të japë emrin, ia pret fjalën me shaka: “Ujqërit që janë në pushtet do ta marrin prapë”.
Fushata me imazhin dhe fuqinë e partisë. Sheshi në qendër të Tepelenës është i zbrazur të dielën, një javë para zgjedhjeve. Foto: Blerina Gjoka.
I veshur me kostumin e klubit “Tepelena”, Gabriel Guma po xhiron një video fushate për rrjetet sociale pranë stadiumit të qytetit – një fushë sportive e rrethuar nga një tribunë me karrige në vetëm dy radhë. Në video, Guma fajëson bashkinë e drejtuar nga socialistët se i ka lënë pas dore investimet për futbollin.
Në grupin që e shoqëron është edhe Andi Tepelena, një aktivist i shoqërisë civile në Tiranë, i cili thotë se ka ardhur të shohë nga afër Gumën dhe fushatën e tij, i tërhequr nga kandidimi i tij si i pavarur dhe nga qasja e komunikimit me qytetarët. “Që të jem i sinqertë, një miku im më tha që një djalë i ri, artist, po kandidon si i pavarur dhe më kuriozoi, sepse kam pasur gjithmonë një lloj simpatie ndaj fenomeneve të kandidaturave që vijnë nga qytetaria,” thotë Tepelena.
Në një qytet ku “shpopullimi është përtej dramatikes”, ai mendon se të rinjtë mund të shërbejnë në përfshirjen e qytetarëve në vendimmarrje dhe nxitjen e një klime për të rinjtë që të punojnë dhe investojnë në turizëm.
Gabriel Guma mund të ngjajë me një “Don Kishot”, ndërsa ka vendosur të ndjekë këshillën e miqve për të kandiduar si i pavarur për bashkinë e qytetit të tij, përballë makinerisë elektorale të socialistëve, që ruajnë pushtetin lokal prej afro 15 vitesh.
Pas diplomimit në Tiranë për arkitekturë-design, ai është kthyer sërish në Tepelenë ku ka biznesin e familjes së tij. Edhe për shkak të formimit artistik, ai pranon se i kushton shumë rëndësi imazhit dhe komunikimit vizual, dhe premtimet po ashtu i fokuson tek investimet në kulturë, arsim dhe përfshirjen e të rinjve në jetën e qytetit. “Kjo është arsyeja kryesore që kandidova, që të tregoj se të rinjtë duan t’i lëvizin gjërat,” thotë Guma.
Në qytetin ku të gjithë e njohin njëri-tjetrin, dy rivalët nuk kanë asnjë fjalë negative për njëri-tjetrin. “Nuk e shoh këtë betejë si partiake, ia kam thënë dhe kundërshtarit që ne duhet ta përdorim këtë moment për të promovuar Tepelenën,” thotë Guma, i cili ankohet në anën tjetër se socialistët po përdorin administratën vendore dhe pushtetin partiak.
Kandidati socialist, Gramos Sako dhe ish-kryebashkiaku Tërmet Peçi në takim me qytetarët. Foto: Facebook.
Të dielën, Gramos Sako ndodhej në Tiranë dhe, si shumica e socialistëve, po merrte pjesë në homazhet ndaj ish-kryeministrit Fatos Nano. Në rrjetet sociale, fushata e tij mbështetet nga dy socialistët më me pushtet në zonë: deputeti Tërmet Peçi, që drejtoi Bashkinë e Tepelenës nga viti 2011 deri në mars 2025, dhe drejtuesja politike e qarkut, Mirela Kumbaro.
Në një bisedë telefonike, Sako, 54 vjeç, thotë se i ka uruar suksese kandidatit rival, të cilin e vlerëson si një të ri që angazhohet në politikë. Por ai i hedh poshtë akuzat për përdorim të administratës vendore në fushatë. “Unë e njoh ligjin dhe s’kam nevojë të marr administratën në takime me elektoratin, sepse është e lehtë për mua të kërkoj mbështetje me investimet që janë bërë nga bashkia e drejtuar nga socialistët,” tha Sako.
Sako thotë se e mbështet fushatën e tij në premtimet për vijimin e këtyre investimeve, nxitjen e zhvillimit të agroturizmit në zonë dhe nxitjen e rikthimit të të rinjve për t’i shërbyer qytetit. Ai shfaqet entuziast për këto investime, që sipas tij do të nxiten edhe nga “Paketa e Maleve”, ku kanë ardhur 73 aplikime për investime në zonë.
I larguar nga Tepelena pas përfundimit të gjimnazit dhe me një jetë të ndërtuar në Tiranë, Sako thotë se ka vendosur të rikthehet për të jetuar në vendlindje, nëse zgjidhet kryetar bashkie.
Në Tepelenë, zyrat e PS dhe PD ndodhen në të njëjtën godinë. Foto: Blerina Gjoka.
“`