Tërmet i fuqishëm 7.4 ballë godet Kolumbinë/ Raportohen dëme të konsiderueshme, presidenti Espriella: Nuk jeni vetëm
Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.4 ballë ka goditur Kolumbinë perëndimore, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme dhe panik mes banorëve.
Sipas Shërbimit Gjeologjik të Kolumbisë, lëkundjet u regjistruan në orën 07:34 me orën lokale (12:34 GMT), në një thellësi prej rreth 82 kilometrash. Epiqendra u lokalizua pranë San José del Palmar, në rajonin Chocó, sipas Shërbimit Gjeologjik të SHBA-së.
Lëkundjet u ndjenë në pjesë të ndryshme të vendit, si edhe në Venezuelën fqinje. Në disa qytete kolumbiane, ndërtesat janë evakuuar si masë paraprake, ndërsa autoritetet kanë nisur vlerësimin e dëmeve dhe situatës në terren.
Presidenti i Kolumbisë, Abelardo De La Espriella, i cili u betua vetëm pak ditë më parë, ka deklaruar se ka marrë personalisht përgjegjësinë për koordinimin e reagimit ndaj emergjencës. Në një reagim në rrjetin social X, presidenti tha se ka urdhëruar krijimin e një “Poste të Komandës së Bashkuar” për të koordinuar reagimin ndaj dëmeve dhe për të ndihmuar personat e prekur nga tërmeti.
“Do të jem gjithashtu personalisht në Pereira për të qëndruar me të prekurit dhe për të monitoruar reagimin e qeverisë. Nuk jeni vetëm. Qeveria është këtu dhe po ndërmerr veprime”, deklaroi De La Espriella.
Autoritetet vijojnë kontrollet për të përcaktuar përmasat e dëmeve dhe nëse ka persona të lënduar apo viktima.
Guvernatori i rajonit perëndimor të Kolumbisë, Chocó, thotë se tërmeti ka shkaktuar “lëndime dhe dëme serioze në ndërtesa” në kryeqytetin e rajonit, Quibdó. Nubia Carolina Córdoba-Curi shkruan në X se rajoni ka “përjetuar një tërmet të madh” dhe është “i shqetësuar për lëkundjet pasuese”. Ajo thotë se ka pasur lëndime dhe dëme në ndërtesa pavarësisht se epiqendra ndodhet në San José del Palmar aty pranë.
“Ne tashmë po kryejmë një vlerësim të dëmeve për të nxjerrë raportin e parë zyrtar”, shton Córdoba-Curi.
Tërmeti ka shkaktuar shqetësim të madh në rajon, veçanërisht pas tërmeteve të fuqishme që goditën veriun e Venezuelës më pak se dy muaj më parë.
