Tragjedisë në Venezuelë i shtohen përmasat/ 920 të vdekur nga tërmetet shkatërrimtare, mbi 51 mijë të zhdukur
Pamjet e shkatërrimit masiv vazhdojnë të mbërrijnë nga Venezuela, e goditur nga dy tërmete të fuqishme me magnitudë 7.2 dhe 7.5 ballë të shkallës Rihter. Këto lëkundje konsiderohen si më të fortat që kanë prekur vendin në më shumë se një shekull.
Autoritetet venezueliane kanë njoftuar se bilanci i viktimave ka arritur në 920 persona, ndërsa mbi 3,360 të tjerë kanë mbetur të plagosur. Presidenti i Asamblesë Kombëtare, Jorge Rodriguez, konfirmoi lajmin dhe paralajmëroi se numri i viktimave pritet të rritet, pasi qindra persona rezultojnë ende të bllokuar nën rrënoja.
Ndërkohë, shqetësimi për fatin e të zhdukurve mbetet i lartë. Sipas raportimeve nga platformat qytetare dhe rrjetet jozyrtare, janë regjistruar mbi 51 mijë persona të raportuar si të zhdukur.
Një nga zonat më të goditura është qyteti bregdetar i La Guaira, ku imazhet satelitore tregojnë shkatërrim të gjerë. Kompleksi i banimit “Chavez”, i njohur si “Suma”, është shembur pothuajse tërësisht, ndërsa disa pallate shumëkatëshe janë rrëzuar brenda pak sekondash. Dëme të konsiderueshme janë raportuar edhe në zonat industriale, ku depo dhe objekte të shumta janë shkatërruar plotësisht.
Aeroporti ndërkombëtar i vendit ka pësuar dëme serioze dhe është mbyllur. Lëkundjet janë ndjerë edhe në Brazil, ku autoritetet urdhëruan evakuimin e disa ndërtesave.
Në zonat e prekura, të mbijetuarit po përpiqen të shpëtojnë familjarët dhe fqinjët duke gërmuar me mjete rrethanore, madje edhe me duar, për shkak të mungesës së pajisjeve dhe ekipeve të mjaftueshme të shpëtimit. Raportimet flasin për zemërim në rritje ndaj reagimit të autoriteteve, të cilat po përballen me vështirësi për të menaxhuar përmasat e kësaj katastrofe. Në disa zona janë regjistruar edhe raste plaçkitjesh.
Komuniteti ndërkombëtar ka nisur mobilizimin për t’i ardhur në ndihmë Venezuelës. Mbretëria e Bashkuar ka dërguar një avion ushtarak me 68 specialistë të kërkim-shpëtimit dhe qen të trajnuar, si edhe ka premtuar një fond prej 2 milionë paundësh për emergjencën. Shtetet e Bashkuara, Meksika, Spanja, Gjermania dhe vende të tjera kanë nisur gjithashtu dërgimin e ekipeve të specializuara, ndihmave mjekësore dhe furnizimeve humanitare për të mbështetur operacionet e kërkim-shpëtimit dhe popullsinë e prekur nga katastrofa.
