TikToker i njohur “Gucci” plagoset me armë zjarri në Durrës

Plagoset me armë zjarri i njohuri i TikTok-ut, i njohur si “Gucci”

Një personazh i njohur i rrjetit social “TikTok”, Fabion Kuçi, i cili njihet me nofkën “Gucci”, është plagosur me armë zjarri mbrëmjen e së hënës. Ngjarja ka ndodhur në lagjen numër 9 të qytetit bregdetar, ku ai ka marrë një plagë në parakrah. Aktualisht, ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Policia e Durrësit ka identifikuar autorin e dyshuar të ngjarjes dhe po punon për arrestimin e tij. Sipas të dhënave paraprake, sherri ka lindur nga një debat banal, për shkak të komenteve dhe sharjeve në rrjetin social TikTok.

Fabion Kuçi rezulton të jetë një personazh i skeduar edhe më parë për përplasje virtuale me disa personazhe të tjerë të rrjeteve sociale.

Mësohet se gjatë dëshmisë së tij në polici, Kuçi ka pohuar se me autorin e plagosjes, i cili është shpallur në kërkim, ishte zënë pas sharjeve në rrjetet sociale. Ai ka deklaruar se ngjarja fillimisht ka qenë një konflikt në TikTok, i cili më pas ka marrë përmasa më serioze.

Kuçi rezulton të jetë i dënuar më parë në Angli, ku ka kryer edhe burgim.

Gjithashtu, “Gucci” ka pasur përplasje të mëparshme edhe me personazhe të tjerë të njohur në rrjetet sociale, si Kozak-u dhe Xhemal Uka, i cili njihet si “Fire”. Kujtojmë se Xhemal Uka është shpallur në kërkim disa ditë më parë, lidhur me një ngjarje të rëndë në zonën e Freskut, e cila gjithashtu ka pasur si fillesë konflikte në rrjetet sociale. Uka akuzohet për urdhërimin e rrahjes barbare të një 26-vjeçari, i cili u dhunua me sende të forta dhe çekiç.

Scroll to Top