Vëzhgimi për aktivizimet e titullarëve të Kombëtares pas fitores në Serbi: Heronjtë e Leskovcit dhe sfidat me klubet e tyre
Kombëtarja shqiptare e futbollit ka përmbyllur me sukses fazën kualifikuese për Kupën e Botës, duke siguruar vendin e dytë në grup. Për herë të parë në histori, kuqezinjtë arritën të kualifikoheshin në “Play Off” të Kupës së Botës, ku në mars do të kenë shansin për të tentuar kualifikimin në Botëror.
Krahas rezultateve të shumta pozitive gjatë fazës kualifikuese, historike padyshim ishte fitorja në Leskovc, ku Shqipëria triumfoi kundër Serbisë. Përveç fitores dhe 3 pikëve, që ndikuan dukshëm në ecurinë e skuadrës sonë, edhe loja e zhvilluar në atë ndeshje ishte ndër më të mirat e kuqezinjve.
Megjithatë, heronjtë që luajtën atë ndeshje historike nuk janë të gjithë në momentin më të mirë me klubet e tyre. Shumë lojtarë po kalojnë një periudhë të vështirë, duke mos u aktivizuar ose duke qenë në një formë jo optimale. Sigurisht, ka edhe nga ata që po shkëlqejnë, shënojnë gola ose janë kthyer në protagonistë.
- Thomas Strakosha – Portieri i Kombëtares është në një moment shumë të mirë në kampionatin grek. Ai aktivizohet me AEK-un dhe këtë sezon ka luajtur në 27 ndeshje (15 në kampionat dhe 12 në Kupat e Europës), duke grumbulluar plot 2460 minuta, duke qenë një nga lojtarët më të rëndësishëm.
- Mario Mitaj – Mbrojtësi i majtë, një nga lojtarët më cilësorë të Kombëtares, është në një situatë të çuditshme me Al Itihad. Mitaj e nisi kampionatin me mungesa për shkak të numrit të të huajve, ndërkohë që kohët e fundit është diskutuar edhe mundësia e largimit nga skuadra. Këtë sezon ai është aktivizuar në 58% të ndeshjeve, pa luajtur minuta të plota. Ka luajtur në 7 ndeshje kampionati, 4 në Kupë dhe 6 në Ligën e Kampioneve Aziatike, me një total prej 1401 minutash.
- Arlind Ajeti – Qendërmbrojtësi po kalon një moment të mirë me skuadrën e tij në Turqi, duke u aktivizuar në të gjitha ndeshjet e kampionatit. Mbrojtësi i Bodrumsporit ka luajtur 19 ndeshje, duke shënuar 1 gol dhe dhënë 1 asist, teksa ka arritur të grumbullojë 1701 minuta në kampionat, duke qenë një nga më të aktivizuarit në skuadër.
- Berat Gjimshiti – Kapiteni kuqezi është padyshim lider te Atalanta dhe një nga protagonistët absolutë të ekipit bergamask. Gjimshiti ka luajtur pothuajse në të gjitha ndeshjet, përjashtuar rastet kur ka qenë i dëmtuar ose ka pasur nevojë për pushim për shkak të lodhjeve. Ai ka luajtur 17 ndeshje në Serinë A, 6 në Champions League dhe 1 në Ligën e Europës, me një total prej 1947 minutash, ose 79% të ndeshjeve.
- Elseid Hysaj – Aventura e Hysajt te Lacio duket se po i afrohet fundit, pasi nuk po merr më minuta dhe shpesh është jashtë planeve të stafit. Ai është aktivizuar vetëm në 4 ndeshje të Serisë A, me një total prej 162 minutash, ose mesatarisht 40 minuta për ndeshje. Ai është aktivizuar në 5% të ndeshjeve, duke qenë një nga lojtarët me më pak minuta titullarë.
- Julián Shehu – Një nga risitë e kualifikuesve të Botërorit ishte Shehu, i aktivizuar titullar ndaj Andorrës dhe më pas duke blinduar vendin e tij në mesfushë. Mesfushori i aktivizuar me Vidzev në Poloni, është protagonist edhe me skuadrën e tij. Ai është aktivizuar në 17 ndeshje kampionati dhe 3 ndeshje Kupë, duke grumbulluar 1665 minuta, ose 89% të minutave.
- Kristjan Asllani – Nëse me Shqipërinë është protagonist dhe një nga lojtarët më të spikatur, në Serinë A situata është tjetër. Mesfushori nga Elbasani nuk po kalon momentin më të mirë dhe është aktivizuar vetëm në 15 ndeshje të Serisë A dhe 1 në Kupë. Në total, Asllani ka grumbulluar 1155 minuta, ose 68% të minutave.
- Qazim Laçi – I transferuar në Turqi te Rizespor, mesfushori i Kombëtares duket se ka gjetur veten dhe është ambientuar shumë mirë në Superligë. Laçi është aktivizuar në 16 ndeshje kampionati, ku ka shënuar 2 gola dhe dhënë 3 asiste, ndërkohë që ka luajtur edhe në 3 ndeshje Kupë. Ai ka grumbulluar 94% të minutave, duke luajtur gjithsej 1465 minuta.
- Armando Broja – Sulmuesi kuqezi po merr hapësirën e tij me Fulham, megjithëse nuk e nisi mirë kampionatin. Në ndeshjet e fundit, Broja ka luajtur titullar dhe ka arritur të shënojë golin e parë. Ai ka luajtur 15 ndeshje në Premier League, por në total 630 minuta, ndërkohë që ka edhe 2 ndeshje Kupë. Në total, Broja numëron këtë sezon 771 minuta, ose vetëm 29% të minutave.
- Myrto Uzuni – Sulmuesi nga Berati luan në kampionatin amerikan me Austin dhe aktualisht është pushim, pasi kampionati ka përfunduar. Situata e tij nuk është më e mira për momentin, pasi kampionati rinis në mars, kur do të ketë edhe ndeshjet e Shqipërisë. Sezonin e shkuar, ai luajti 34 ndeshje, duke grumbulluar 2633 minuta.
- Rei Manaj – Sulmuesi, që shënoi një gol fantastik në Leskovc, është protagonist edhe me skuadrën e Al Sharjah në kampionatin e Emirateve Arabe. Në total, Manaj ka luajtur 19 ndeshje (kampionat, Kupë dhe Ligë e Kampioneve), duke grumbulluar 1373 minuta, ose 80% të ndeshjeve të disponueshme.
