Trafik droge, korrupsion e ndikim i paligjshëm: SPAK zbulon rrjetin

Hetimi për trafikun e drogës zbulon ndikim të paligjshëm dhe korrupsion

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) njoftoi të mërkurën, më 22 tetor, përfundimin e hetimeve ndaj gjashtë të pandehurve, të akuzuar për veprat penale të “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsion aktiv të dëshmitarit, ekspertit ose përkthyesit” dhe “Shpërdorim detyre”. Mes tyre, dy të pandehur janë një avokat dhe një punonjës policie.

SPAK bëri të ditur se këto vepra penale janë zbuluar gjatë hetimeve të nisura në vitin 2019, në bashkëpunim me autoritetet e drejtësisë italiane, për trafikun e lëndëve narkotike.

Avokati Armand Targaj akuzohet se ka përdorur aplikacionin SkyECC për të komunikuar dhe vepruar në emër të personave në mbrojtjen e tij, duke ushtruar ndikim të paligjshëm ndaj funksionarëve publikë. Në një rast, Targaj akuzohet gjithashtu për “korrupsion aktiv të dëshmitarit, ekspertit ose përkthyesit”.

Gjatë hetimeve për trafikun e drogës, përmes përgjimeve dhe vëzhgimeve në ambiente publike, është dokumentuar edhe një rast i kalimit të paligjshëm të kufirit nga ana e të pandehurit Edison Cukaj (Gjoka). Sipas SPAK, pavarësisht se Cukaj ishte në dijeni se nuk kishte kushte ligjore për kalimin e kufirit drejt zonës “Schengen”, ai ka kontaktuar dhe është ndihmuar nga të pandehurit Ervis Deti, Serxhio Shkodra dhe Bexhed Mema. Këta të fundit dyshohet se i kanë kërkuar dhe marrë shumën prej tre mijë eurosh, me qëllim ushtrimin e ndikimit të tyre tek punonjësi i policisë kufitare në pikën e kalimit të Portit Durrës, Naim Behluli.

“Përmes ndikimit të ushtruar ndaj funksionarit publik dhe me vetëdije të plotë, është realizuar kalimi i kufirit pa pengesa nga i pandehuri Edison Cukaj (Gjoka)”, citohet në njoftim.

Punonjësi i policisë kufitare, Naim Behluli, është marrë i pandehur për “Shpërdorim detyre”. Ndërkohë, katër të pandehurit e tjerë akuzohen për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim.

Sipas SPAK, hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këto veprimtari kriminale.

Scroll to Top