Tragjedi familjare: Nëna vdes pas vrasjes së vajzës nga bashkëshorti
Një ngjarje e rëndë familjare ka ndodhur në Alabama, ku një nënë e tre fëmijëve i ka dhënë fund jetës vetëm disa orë pasi burri i saj dyshohet se ka vrarë vajzën e tyre të vogël.
Molly McKelvey, 28 vjeç, mori veten nga jeta mëngjesin e 23 prillit. Ky akt erdhi vetëm pak orë pasi vajza e saj njëmujore, Lotus McKelvey, u rrah deri në vdekje nga babai i saj, Mickele Kaipolai Ah-Nee.
Edhe pse ekipet e shpëtimit u përpoqën menjëherë të ofronin ndihmë dhe ta dërgonin vogëlushen Lotus në spitalin më të afërt, ajo u shpall e vdekur. Një autopsi e mëvonshme tregoi se foshnja kishte vdekur si pasojë e lëndimeve të rënda të brendshme.
Ah-Nee, 34 vjeç, përballet tani me akuzën për vrasje me dhunë në familje dhe është ndaluar në paraburgim, me një garanci prej 250,000 dollarësh.
Vëllai i Molly McKelvey, Kristian McKelvey, shprehu dhimbjen e tij të thellë për ngjarjen. “Nuk ka fjalë për të përshkruar dhimbjen kur mëson së pari për vdekjen e foshnjës dhe pastaj për vetëvrasjen e nënës,” tha ai. “Është si një film. Shpesh dëgjojmë për këto gjëra në lajme, por nuk mendon kurrë se mund të ndodhin edhe me ty.”
Kristian përshkroi motrën e tij si “një motër vërtet të mrekullueshme” dhe mbesën e tij si “foshnja më e lumtur që kam parë ndonjëherë. Nuk do ta shoh kurrë të rritet.”
Anëtarët e familjes kanë nisur një fushatë në platformën GoFundMe për të mbuluar kostot e varrimit për Molly dhe Lotus. Familjarët dhe miqtë shprehen “të shkatërruar dhe duke luftuar për t’u përballur” me humbjen. Molly la pas edhe dy djemtë e saj të vegjël, Orionin dhe Micah-un.
