Tragjedi familjare në Florida: Vrasje-vetëvrasje pas debateve

Tragjedi familjare në Florida: Burri vret gruan dhe vajzën 13-vjeçare, më pas veten

Një incident familjar, që filloi si një debat i zakonshëm, u shndërrua në një tragjedi të përgjakshme në Florida, ku një burrë 47-vjeçar, nën ndikimin e alkoolit, vrau bashkëshorten e tij, qëlloi vajzën 13-vjeçare dhe më pas mori jetën e tij. Kështu bënë të ditur autoritetet lokale.

Sipas sherifit të Qarkut Polk, Grady Judd, 47-vjeçari Jason Kenney ishte nën ndikimin e alkoolit kur pati një debat të ashpër me gruan e tij, Crystal Kenney. Shkak i debatit, sipas raportimeve, ishte kërkesa e gruas që ai të fikte ndeshjen e futbollit amerikan të NFL mes San Francisco 49ers dhe Indianapolis Colts, e cila po transmetohej në programin “Monday Night Football”.

Tensionet ishin aq të larta sa Crystal Kenney i kërkoi djalit të saj 12-vjeçar të telefononte policinë. Fëmija vrapoi në panik drejt shtëpisë së një fqinji, nga ku më pas dëgjoi të shtëna me armë zjarri, siç raporton NYPost.

Kur policia mbërriti në vendin e ngjarjes, gjeti gruan të vdekur nga një plagë me armë zjarri. Vajza 13-vjeçare ishte qëlluar në fytyrë dhe shpatull. E mitura u transportua në spital në gjendje kritike, por ajo mbijetoi dhe më pas dha deklarime para autoriteteve. Sipas sherifit, ajo u kishte thënë oficerëve: “I lutesha, ‘Mos më qëllo, mos më qëllo’, por ai më qëlloi gjithsesi”.

Djali 12-vjeçar i familjes nuk pësoi asnjë dëmtim. Vajza më e vogël e çiftit, vetëm njëvjeçare, u gjet e sigurt, duke fjetur në krevatin e saj. Jason Kenney ishte njerku i dy fëmijëve më të rritur të gruas.

Pas akteve të dhunës, 47-vjeçari doli nga shtëpia dhe telefonoi motrën e tij në Nju Jork, duke i thënë se kishte “bërë diçka shumë të keqe” dhe se nuk do të flisnin më kurrë. Më pas ai shkoi në shtëpinë e babait të tij, ku u gjet nga policia. Ndërkohë që oficerët po përpiqeshin ta bindnin të dilte nga një hangar në oborr, burri qëlloi veten dhe vdiq.

Gjatë kontrollit në shtëpinë e familjes, oficerët gjetën një shënim të shkruar nga Crystal Kenney për bashkëshortin. Në të, ajo i kërkonte të kërkonte ndihmë për problemet e tij me varësinë. “Po pi, po përdor përsëri kokainë. Kjo nuk është mënyra se si duhet të funksionojë një familje. Ke nevojë për Zotin,” shkruhej në shënim.

Fëmijët që i mbijetuan tragjedisë janë tashmë nën kujdesin e gjyshërve të tyre.

“E gjithë familja u shkatërrua,” tha Sherifi Grady Judd, duke përshkruar një pamje që tronditi edhe oficerët e policisë me përvojë. “Kishte një pemë të bukur Krishtlindjesh, me dhurata poshtë saj, siç do të ishte një familje normale. E megjithatë, gjithçka mbaroi aty.”

Scroll to Top