Tragjedi në Itali: Nëna hidhet nga kati i tretë me tre fëmijët
Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Catanzaro, ku një grua 46-vjeçare, së bashku me tre fëmijët e saj, është hedhur nga dritarja e banesës së tyre në katin e tretë.
Sipas informacioneve paraprake të autoriteteve italiane, gruaja dhe dy prej fëmijëve – një djalë 4-vjeçar dhe një foshnjë 4-muajshe – kanë humbur jetën në vendngjarje. Vajza tjetër, 5-vjeçare, është transportuar me urgjencë në spital dhe ndodhet në gjendje kritike në repartin e kujdesit intensiv.
Ngjarja ka ndodhur në një apartament në Via Zanotti Bianco, ku familja banonte prej kohësh. Motivimet e kësaj tragjedie ende nuk janë sqaruar plotësisht. Megjithatë, mediat lokale raportojnë se gruaja kishte shfaqur më herët probleme të lehta me shëndetin mendor.
Fqinjët e kanë përshkruar atë si një person të qetë, të rezervuar dhe të përkushtuar ndaj praktikave fetare, duke e bërë ngjarjen edhe më të vështirë për t’u kuptuar nga komuniteti.
Në momentin e ngjarjes, bashkëshorti ndodhej gjithashtu në banesë. Ai është zgjuar nga zhurmat dhe ka dalë menjëherë jashtë, duke u përpjekur të ndihmojë fëmijët para mbërritjes së shërbimeve të emergjencës.
Autoritetet italiane po vijojnë hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të kësaj tragjedie familjare.
