Tragjedia në Korçë: Dy fëmijë jashtë banesës në momentin e mbërritjes së zjarrfikësve
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e djeshme në Korçë, ku një nënë dhe një fëmijë kanë humbur jetën si pasojë e asfiksisë nga një zjarr që përfshiu banesën e tyre. Vajza tjetër, 6 vjeç, është lënduar.
Sadik Halili, shefi i shërbimit zjarrfikës të Maliqit, deklaroi se në momentin kur ata mbërritën në vendngjarje, nuk kishte zjarr brenda banesës dhe të dy fëmijët ishin jashtë. Ai zbuloi se nëna u gjet pa jetë te dera e kuzhinës.
“Njoftimin e morëm rreth orës 13:30 të datës 19 tetor, nga salla operative e policisë. Menjëherë mbërritëm në vendin e ngjarjes për rreth 1 minutë, pasi distanca është e afërt. Kur mbërritëm, nuk kishte zjarr brenda banesës. Të dy fëmijët, djalin dhe vajzën, i gjetëm jashtë. Djali ishte pa ndjenja, ndërsa vajza ishte në gjendje të vetëdijshme. Tek dera e kuzhinës gjetëm të asfiksuar nënën e tyre, e cila kishte ndërruar jetë,” tha Halili.
Ai shtoi se menjëherë u njoftua ambulanca dhe iu dha ndihma e parë fëmijëve, të cilët u dërguan në spitalin e Korçës.
“Për këtë ngjarje është ngritur një grup hetimor, pjesë e të cilit jam edhe unë, për të zbuluar shkakun e zjarrit. Për momentin kemi dy versione: në kuzhinë kishte qenë ndezur soba me dru zjarri, ndërsa poshtë në dysheme gjetëm disa fije shkrepëse të ndezura. Nuk mund të themi ende pistën përfundimtare,” përfundoi ai.