Shqiptari vrau gruan dhe veten në Francë: Familjarët shprehen të habitur
Nëna e Andon Janaqit, shqiptarit i cili dyshohet se vrau bashkëshorten dhe më pas veten në Francë, ka reaguar për mediat, duke shprehur pikëllim dhe mosbesim për ngjarjen makabre. E qara dhe e tronditur, ajo deklaroi se nuk kishte dijeni për konflikte brenda çiftit.
“Jam në një gjendje që s’di se çfarë ka bërë. Nuk e di se çfarë ka bërë djali aty. Ishin mirë dhe bukur,” tha ajo. “Më mori dikush në telefon nga Franca dhe më tha: ‘Mblidh mendjen, yt bir ka vrarë nusen dhe veten.’ Nuk e di që të kishin konflikte. Nuk di. Kjo ishte evlad (për krushkën) dhe unë po ashtu kisha evladin tim,” shtoi ajo mes lotësh.
Alarmi u dha rreth orës 16:30, kur një banor i lagjes Europe njoftoi policinë pasi dëgjoi dy të shtëna me armë në adresën 101 Rue Général-Paulet. Forcat e rendit mbërritën menjëherë në vendngjarje dhe gjetën trupat e një burri dhe një gruaje me origjinë shqiptare, të moshës 30 dhe 36 vjeç, pranë të cilëve u gjet edhe një pushkë gjahu.
Sipas raportimeve nga mediat franceze, hetuesit po e orientojnë çështjen drejt pistës së vrasjes së gruas dhe më pas vetëvrasjes së autorit të dyshuar.
Çifti kishte dy fëmijë. Njëri prej tyre nuk ndodhej në shtëpi në momentin e ngjarjes, ndërsa fëmija më i vogël ishte në shkollë.
Paola Janaqi, motra e 36-vjeçarit, ka bërë thirrje që trupi i vëllait të saj të sillet në Shqipëri, pasi familja nuk ka kushtet për t’u kujdesur për varrimin jashtë vendit. Ajo tregoi se komunikimi i fundit me vëllain ishte një ditë më parë, kur ai i kishte thënë se ndihej i stresuar dhe kishte si ankth, por nuk kishte përmendur ndonjë konflikt.
“Me vëllain folëm dje, më tha që ‘mirë jam, po dal një xhiro se jam shumë i stresuar’. Kishte si ankth, trembje, kaq më tha. ‘Flasim më vonë,’ më tha dhe nuk më telefonoi më. I telefonova 2-3 herë nuk ma hapi më,” u shpreh ajo. “Sot e mora vesh, më erdhën më thanë ‘vdiq vëllai, të bëheni të fortë’, kaq më thanë mua. Nuk dinim që kishte konflikte, sa herë që flisnim thoshte ‘mirë jemi, ti mos ki merak’, kaq folëm dhe nuk më mori më në telefon.”
Lidhur me fëmijët, ajo theksoi dëshirën e familjes për t’i marrë ata në kujdestari, pasi nuk duan të kenë marrëdhënie me familjarët e nuses. Fëmijët janë 9 dhe 3 vjeç.
Identitetet e çiftit janë konfirmuar si Andon Janaqi (36 vjeç) dhe Anjeza Zeneli (30 vjeç), të cilët ishin me origjinë nga Korça.
