Tragjedi në SHBA: Gruaja vritet pas denoncimit për pedofili në TikTok

Tragjedi në SHBA: Gruaja vritet nga ish-bashkëshorti pasi e denoncoi për pedofili në TikTok

Një ngjarje tragjike ka tronditur shtetin e Oklahomës në SHBA, ku një grua u vra nga ish-bashkëshorti i saj vetëm pak ditë pasi e kishte denoncuar publikisht në TikTok për akuza të rënda abuzimi seksual.

Sara Gilson u gjet e pajetë në banesën e saj në Owasso, Oklahoma, më 23 korrik. Sipas hetuesve, ish-bashkëshorti i saj e qëlloi për vdekje përpara se t’i jepte fund edhe jetës së tij.

Rreth një javë e gjysmë para tragjedisë, Gilson publikoi një video në TikTok, e cila u bë virale dhe ka grumbulluar afro 30 milionë shikime. Në video, ajo shprehej se kishte zbuluar se burri, nga i cili ishte në proces ndarjeje, ishte pedofil.

Sipas informacioneve të bëra publike, ai ishte akuzuar më herët për abuzim seksual ndaj një vajze 15-vjeçare.

Pak para vrasjes, Sara Gilson kishte siguruar edhe një urdhër mbrojtës nga gjykata, i cili e ndalonte ish-bashkëshortin t’i afrohej ose të kishte kontakt me të.

Autoritetet amerikane vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes, e cila ka rikthyer vëmendjen te rreziqet e dhunës në familje dhe rëndësia e mbrojtjes së viktimave që denoncojnë abuzimet.

Scroll to Top