Tragjedi në SHBA: Nëna akuzohet se la binjakët 13-muajsh pa kujdes për ditë të tëra, njëri humb jetën nga uria dhe dehidratimi
Një ngjarje e rëndë ka tronditur opinionin publik në Washington, D.C., ku një nënë 25-vjeçare është akuzuar se ka lënë të vetëm për ditë të tëra binjakët e saj 13-muajsh. Ky braktisje, sipas autoriteteve, ka sjellë vdekjen e vajzës së vogël dhe ka rrezikuar jetën e djalit.
Oficerët e policisë mbërritën në banesë më 18 janar, pas një telefonate emergjente për një fëmijë pa shenja jete. Brenda apartamentit, ata gjetën dy binjakët në kushte alarmante. Vajza, e identifikuar si Mazouri Jones, u shpall e vdekur në vendngjarje, ndërsa vëllai i saj binjak u gjet ende gjallë pranë motrës së tij.
Hetimet paraprake sugjerojnë se nëna e tyre, Valencia Duke, dyshohet se i kishte lënë foshnjat pa kujdes për periudha të gjata. Dokumentet hetimore tregojnë se gjatë një intervali prej rreth 92 orësh, ajo kishte kaluar vetëm pak kohë në apartament me fëmijët.
Autoritetet përshkruajnë kushte higjienike të papërshtatshme brenda banesës, ku janë gjetur ushqime të prishura, mbeturina dhe substanca të dyshuara si narkotike.
Djali i mbijetuar u transportua menjëherë në spital në gjendje kritike. Mjekët konstatuan se ai vuante nga hipotermia dhe kequshqyerja e rëndë. Sipas dokumenteve të çështjes, fëmija ishte në gjendje aq të rëndë sa tentoi të kafshonte një stetoskop, duke e ngatërruar me ushqim.
Autopsia e kryer mbi vajzën e vogël përcaktoi se ajo kishte humbur jetën si pasojë e dehidratimit dhe kequshqyerjes së rëndë. Autoritetet e kanë klasifikuar vdekjen e saj si vrasje.
25-vjeçarja u arrestua më 3 qershor dhe aktualisht përballet me akuza për vrasje të shkallës së parë dhe abuzim me fëmijët. Sipas mediave amerikane, ajo ndodhet në paraburgim pa të drejtë lirimi me kusht dhe pritet të dalë para gjykatës për seancat e ardhshme procedurale.
