Tragjedia në diskotekë në Zvicër: Pronari deklaron se lokali ishte inspektuar 3 herë në 10 vitet e fundit
Zhak Moreti, pronari dhe menaxheri 49-vjeçar francez i diskotekës “Le Constellation” në Crans-Montana, ka folur për herë të parë pas tragjedisë së ndodhur natën e Vitit të Ri. Ai dhe bashkëshortja e tij 40-vjeçare, Xhesika, ndodhen në gjendje shoku. Moreti ka deklaruar se lokali ishte kontrolluar tre herë gjatë dhjetë viteve të fundit.
Duke folur për gazetën zvicerane “20 Minuten”, Moreti u shpreh se ai dhe bashkëshortja e tij nuk mund të flenë e as të hanë, duke qenë se janë në një gjendje shumë të vështirë.
Zhak dhe Xhesika Moreti, shtetas francezë me origjinë nga Korsika, morën në administrim diskotekën “Le Constellation” në vitin 2015. Gjatë natës së ngjarjes, Xhesika Moreti ndodhej brenda lokalit dhe u plagos, duke pësuar djegie në dorë. Zhak Moreti nuk ndodhej në diskotekë në atë moment, pasi ishte në një tjetër biznes të çiftit në zonë.
Moreti ka bërë të ditur se do të bashkëpunojë plotësisht me autoritetet për zbardhjen e shkaqeve të tragjedisë. “Do të bëjmë gjithçka që kemi në dorë për të ndihmuar hetimet. Në këtë proces janë përfshirë edhe avokatët tanë”, deklaroi ai.
Zyra e Prokurorit të Kantonit Valais ka nisur një hetim penal për rrethanat e zjarrit. Menaxherët e diskotekës kanë dëshmuar tashmë. Ende nuk është sqaruar nëse individë të caktuar do të akuzohen, por mundësia e një hetimi për zjarrvënie dhe vrasje të qëllimshme mbetet e hapur.
Pronari ka deklaruar gjithashtu se “Le Constellation” ishte inspektuar tre herë në dhjetë vitet e fundit dhe se gjithçka ishte bërë në përputhje me rregulloret. Mbetet për t’u hetuar nëse këto inspektime kishin të bënin me çështje specifike të sigurisë nga zjarri.
Çifti nga Korsika drejton edhe biznese të tjera në zonë, duke përfshirë një restorant në fshatin e afërt Lens dhe një restorant hamburgerësh në Crans Montana.
