Trazira dhe 780 arrestime pas fitores së PSG-së

Numri i të arrestuarve në Francë shkon në 780, festimet për triumfin e PSG-së në Ligën e Kampionëve u kthyen në kaos dhe përleshje

Festimet për fitoren historike të Paris Saint-Germain në Ligën e Kampionëve u shoqëruan me përleshje në disa qytete të Francës. Sipas Ministrit të Brendshëm francez, Laurent Nuñez, 57 efektivë policie mbetën të plagosur gjatë incidenteve, shumica me lëndime të lehta.

Trazirat shpërthyen pas fitores së Paris Saint-Germain ndaj Arsenal në finalen e UEFA Champions League. Autoritetet raportuan se grupe të dhunshme dogjën automjete, vandalizuan dyqane dhe shkaktuan dëme në zona të ndryshme urbane. Një grup i vogël tentoi gjithashtu të sulmonte një stacion policie në kryeqytet.

Gjatë një konference për shtyp të dielën, Nuñez deklaroi se situata ishte vënë kryesisht nën kontroll dhe se shumica e tifozëve festuan në mënyrë paqësore.

“Shumica e festimeve u zhvilluan në mënyrë paqësore”, tha ministri, duke shtuar se incidentet më serioze u regjistruan në zonën e Champs-Élysées dhe pranë stadiumit Parc des Princes, ku mijëra tifozë ishin mbledhur për të ndjekur ndeshjen.

Forcat e sigurisë mbeten në gatishmëri, ndërsa autoritetet po hetojnë incidentet dhe dëmet e shkaktuara gjatë natës së festimeve.

(Ky artikull përmban citime nga burime të jashtme, të cilat nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e redaksisë.)

Scroll to Top