5 Maji: Tregtare e indinjuar shpreh pakënaqësi ndaj zjarrfikëses
Një tregtare në zonën e 5 Majit, e cila ka pësuar dëmtime të konsiderueshme nga zjarri që përfshiu kapanonet, ka ngritur akuza të forta kundër shërbimit zjarrfikës dhe mënyrës së menaxhimit të situatës emergjente.
Ajo shprehet se mjetet dhe pajisjet e përdorura nga zjarrfikësit janë jashtë standardeve dhe të vjetruara. Sipas saj, është e papranueshme që Shqipëria të synojë integrimin në Bashkimin Evropian, ndërkohë që emergjencat përballohen me zjarrfikëse të prodhuara në vitet ’80 dhe ’90.
Tregtarja ngre pikëpyetje edhe mbi pajisjet që përdoren për shuarjen e zjarrit, duke theksuar se dëmet janë të mëdha dhe se ajo është një nga më të dëmtuarat.
Ajo pohon se kapanonet e saj mund të ishin shpëtuar, pasi në momentin kur ka mbërritur në vendngjarje, ato ende nuk ishin përfshirë nga flakët. Sipas dëshmisë së saj, zjarri është përhapur nga lart dhe më pas ka përfshirë dy kapanonet.
Në deklaratën e saj, tregtarja kritikon edhe praninë e policisë në vendngjarje, duke thënë se efektivët nuk kanë ndërhyrë për të ndihmuar, por kanë qëndruar duke vëzhguar situatën, ndërsa tregtarët janë trajtuar sikur të ishin kriminelë.
