Tregu i Internetit Fiks Shqip: Rritje & Vodafone në Krye

Numri i Abonentëve të Internetit Fiks U Rrit në 2025, Vodafone Merr Kryesimin e Tregut nga One

Numri i abonentëve të internetit me brez të gjerë nga linjat fikse u rrit përsëri në vitin 2025. Të dhënat e Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) tregojnë se numri i abonentëve në fund të vitit të kaluar arriti në afërsisht 715 mijë, duke u rritur me 4.1% krahasuar me një vit më parë.

Ritmi i rritjes së numrit të abonentëve ishte më i ngadaltë krahasuar me vitet e mëparshme. Kjo mund t’i atribuohet rritjes së bazës krahasuese, si dhe zgjerimit të vazhdueshëm me ritme relativisht të larta të numrit të abonentëve me interes për shërbimet me brez të gjerë.

Tregu i shërbimit të internetit broadband me linja fikse ka qenë mjaft konkurrues në dekadën e fundit, sidomos në qendrat e mëdha urbane. Këto zona, ku përqendrimi i popullsisë është më i lartë, kanë qenë gjithashtu destinacion i investimeve të operatorëve në infrastrukturë rrjeti.

Sipas të dhënave nga AKEP, në fund të vitit 2025, tregu u kryesua nga Vodafone Albania, me 154 mijë abonentë. Kjo shifër përbën afërsisht 22% të numrit të përgjithshëm të abonentëve në treg. Vodafone Albania ka regjistruar një rritje prej 6.5% në numrin e abonentëve krahasuar me një vit më parë.

Rivali kryesor, One Albania, e ka humbur për momentin kryesimin historik në tregun e shërbimeve fikse. Në fund të vitit 2025, One Albania raportonte rreth 152 mijë abonentë, duke shënuar një rënie prej 0.2% krahasuar me një vit më parë. Për pasojë, One Albania mban vendin e dytë në tregun e internetit fiks, me 21% të numrit të përgjithshëm të abonentëve.

Kompanitë e tjera janë ende larg dy aktorëve mbizotërues në treg. Të renditura sipas pjesëmarrjes në treg, ato janë:

  • ASC (Tring) me 9% të numrit të abonentëve.
  • Abissnet me 6%.
  • Digicom me 5%.
  • Nisatel me 4%.

Në këtë treg veprojnë edhe një numër i konsiderueshëm operatorësh më të vegjël rajonalë dhe lokalë, të cilët, sipas vlerësimeve të AKEP, zotërojnë së bashku afërsisht 29% të numrit të përgjithshëm të abonentëve.

Të dhënat e raportuara nga sipërmarrësit e ofrimit të rrjeteve fikse tregojnë se, përveç rritjes së numrit të pajtimtarëve, tregu ka pasur zhvillim pozitiv edhe në drejtim të zhvendosjes drejt shpejtësive më të larta të lidhjes.

Deri në fund të vitit 2024, rreth 69% e lidhjeve të internetit nga rrjetet fikse mbështeteshin në teknologjinë e fibrës optike. Struktura e pajtimtarëve me akses në shërbime interneti fiks po evoluon në mënyrë të pandërprerë drejt shërbimeve broadband me shpejtësi shkarkimi mbi 30 Mbps (megabit për sekondë). Deri në fund të 2024, rreth 84% e pajtimtarëve kishin akses në lidhje fikse të kësaj shpejtësie. Ndërkohë, 42% e pajtimtarëve zotërojnë lidhje me shpejtësi mbi 100 Mbps.

Sipas AKEP, rritja e ndjeshme e numrit të pajtimtarëve që kanë akses në lidhje fikse me shpejtësi më shumë se 100 Mbps është një tregues pozitiv, në funksion të arritjes së objektivave të parashikuara në planin kombëtar për infrastrukturë dixhitale broadband të shpejtësisë së lartë dhe shumë të lartë në të gjithë vendin.

Scroll to Top