“`html
Mbi 2300 biznese të lidhur në tension 6 kV po furnizohen nga FTL, përfitimet nga liberalizimi
Nga 1 janari, bizneset e lidhur në tension 6 kilovolt (kV) kanë kaluar në tregun e lirë të energjisë elektrike, dhe shumica prej tyre po furnizohen nga Furnizuesi i Tregut të Lirë (FTL). Albi Gjenerali, administrator i FTL, shpjegon në një intervistë për “Monitor” hapat e ndjekur gjatë tranzicionit të këtyre subjekteve nga tregu i rregulluar drejt tregut të liberalizuar.
Ky proces, parashikuar në legjislacion një dekadë më parë, ka arritur fazën e tij të katërt dhe të fundit. Procesi i liberalizimit të tregut të energjisë elektrike, duke përfshirë subjektet e lidhura në tension 6 kV, ka përfunduar.
Detaje mbi grupin e klientëve:
- Rreth 2,600 subjekte jofamiljare u verifikuan fillimisht, nga të cilat rreth 2,300 janë identifikuar dhe konfirmuar si konsumatorë të lidhur në tension 6 kV.
- Afro 300 subjekte mbeten përkohësisht jashtë procesit për shkak të detyrimeve financiare të papaguara ndaj “Furnizuesit të Shërbimit Universal” SH.A. Këta konsumatorë nuk mund të ndryshojnë furnizues pa shlyer më parë detyrimet kontraktuale.
Karakteristikat e konsumatorëve 6 kV:
- Këta konsumatorë janë kryesisht subjekte të vendosura në zona rurale, periferike ose informale.
- Nuk ekziston një profil sektorial i unifikuar, pasi veprimtaritë ekonomike janë të ndryshme.
- Faktori përcaktues për përfshirjen në këtë fazë të liberalizimit është niveli i tensionit (6 kV), jo natyra e aktivitetit ekonomik.
- Zonat urbane kryesore furnizohen në tension 20 kV, ndërsa zonat rurale dhe periferike në nivelet 10 kV dhe 6 kV.
- Konsumatorët e lidhur në 10 kV kaluan në tregun e lirë gjatë vitit 2025, duke e bërë fazën 6 kV të fundit.
- Këto zona përfshijnë territore bregdetare ose malore, por jo qendrat urbane kryesore.
Procedura institucionale e njoftimit:
Procedura u zhvillua përmes koordinimit ndërmjet shoqërive të OSHEE Group, në përputhje me legjislacionin. Furnizuesi aktual (FSHU/FMF) njoftoi konsumatorët se, duke filluar nga 1 janari 2026, nuk kishte më detyrimin për furnizim si Furnizues i Mundësisë së Fundit (FMF) dhe se ata duhet të lidhnin kontratë me një furnizues në tregun e lirë. Operatori i Sistemit të Shpërndarjes SH.A informoi konsumatorët se, nëse nuk deklaronin një furnizues të ri deri më 31 dhjetor 2025, furnizimi do t’u ndërpritej. “Furnizuesi i Tregut të Lirë” SH.A paraqiti ofertën e tij komerciale, duke informuar mbi kushtet e furnizimit dhe çmimin prej 18.34 lekë/kWh pa TVSH.
Konsumatorët morën njoftime nga tre burime: furnizuesi aktual, operatori i rrjetit dhe FTL.
Efektet kryesore të liberalizimit:
- Ulje e barrës financiare dhe e riskut për “Furnizuesin e Shërbimit Universal” SH.A.
- Përmirësim i disiplinës financiare të konsumatorëve jofamiljarë, me afate pagese më të shkurtra (30 ditë).
- Konsolidimi i tregut të energjisë elektrike, me fokus te stabilizimi i mekanizmave, rritja e transparencës dhe eficiencës operacionale.
FTL si Operator i Energjisë së Rinovueshme (OER):
FTL SH.A. ushtron funksionin e Operatorit të Energjisë së Rinovueshme (OER) deri në krijimin e një entiteti të pavarur. Ky proces lidhet me funksionimin e Bursës Shqiptare të Energjisë Elektrike (ALPEX) dhe zbatimin e skemës së kontratave për diferencë (Contracts for Difference – CfD). Në këtë skemë, prodhuesit tregtojnë energjinë në bursë. Nëse çmimi i bursës është më i lartë se çmimi i mbështetjes, diferenca i kreditohet prodhuesit. Përndryshe, OER mbulon diferencën përmes tarifës së burimeve të rinovueshme, e cila mblidhet nga konsumatorët.
Aktualisht, zbatohet një skemë kalimtare: energjia nga hidrocentralet dhe impiantet fotovoltaike që përfitojnë mbështetje përdoret fillimisht për mbulimin e humbjeve në rrjet, pastaj për klientët e FTL, dhe tepricat depozitohen te “KESH” SH.A.
Kapaciteti i instaluar i Prodhuesve me Përparësi të Energjisë Elektrike (PPEE):
- Impiante fotovoltaike PPEE: rreth 70 MW.
- Hidrocentrale PPEE: afërsisht 694 MW.
Subjektet PPE dhe menaxhimi i disbalancave:
FTL SH.A. ka detyrimin e shërbimit publik për blerjen e energjisë nga PPEE për 15 vjet. Pas këtij afati, prodhuesit tregtojnë energjinë në tregun e lirë. Disbalancat trajtohen sipas parimit të përgjegjësisë individuale. FTL SH.A. menaxhon disbalancat përmes një portofoli diversifikuar prodhimi (hidro dhe fotovoltaik) dhe koordinimit me subjektet e OSHEE Group.
Pesha e konsumit në tregun e lirë nga PPEE:
Rreth 90% e konsumit të klientëve të FTL SH.A. në tregun e lirë mbulohet nga energjia e prodhuar nga PPEE. Kjo ka ulur ndjeshëm sasitë e depozituara te “KESH” sh.a. nga rreth 990 TWh në vitin 2023, në rreth 405 TWh në vitin 2024 dhe rreth 200 TWh për vitin 2025. Kombinimi i burimeve hidrike dhe fotovoltaike optimizon portofolin energjetik dhe eficiencën operacionale, ndërsa energjia e depozituar përdoret në periudha me tepricë prodhimi ose rritje konsumi.
“`
