VIDEO/ “71% e gjermanëve janë të pakënaqur me qeverinë”, Auron Dodi: Nëse Gjermania kthehet te rritja ekonomike, atmosfera e përgjithshme do të ndryshojë
Në Gjermani ka nisur një vit i jashtëzakonshëm, ku do të zhvillohen zgjedhje rajonale në shumë lande, të cilat janë shtetet autonome të Gjermanisë. Partia CDU, e udhëhequr nga kancelari Merz, po lufton për të mbajtur kryesimin e landeve ose për t’i fituar ato, ndërkohë që socialdemokratët janë në një pozitë më të vështirë. Partia ultra e djathtë, AfD, ka shënuar forcim.
News24: Një vit pune intensive në Gjermani, me zgjedhje në pesë lande federale, apo jo?
Auron Dodi: Po, me të vërtetë. Në mars, do të mbahen zgjedhje në jugperëndim të Gjermanisë, në landet Baden-Württemberg dhe Rheinland-Pfalz. Në shtator pasojnë zgjedhjet në lindje, në landet Sachsen-Anhalt, Mecklenburg-Vorpommern dhe në landin e Berlin. Një zhvillim që mund të ndryshojë konstelacionet e zakonshme politike është forcimi i partisë ultra të djathtë AfD, edhe në perëndim të Gjermanisë. Ndërkohë, partitë e tjera në qeveritë e landeve po humbasin terren. Kjo mund ta vështirësojë formimin e qeverive. Në përgjithësi, disa ekspertë presin që të forcohen ekstremet, veçanërisht AfD-ja. Përsa i përket lindjes së Gjermanisë, perspektiva e fitores atje të AfD-së mund të nxisë krijimin e një aleance të të gjitha partive kundër saj. Dhe mund të kemi edhe qeveri minoritare, të toleruara nga partitë e tjera. Ka edhe zëra që kërkojnë të rishikohet “kordoni sanitar” për mosbashkëpunim në qeverisje me AfD-në. Gjermania mbetet një vend më stabil se të tjerët, megjithë mosmarrëveshjet në qeverinë qendrore në Berlin. Por edhe një sondazh i fundit i gazetës Bild am Sonntag nxori se 71% e gjermanëve janë të pakënaqur me qeverinë.
News24: Cilat parti kanë perspektiva më të mira për të fituar?
Auron Dodi: Sondazhet i japin shanse më të mëdha CDU-së, partisë së qendrës së djathtë të kancelarit Merz. Dhe shohin thuajse kudo në Gjermani forcimin e ultra të djathtës AfD; socialdemokratët, në përgjithësi, kanë rezultate të zymta në sondazhe. Në fillim të marsit, në landin e Baden-Württemberg, me mbi 11 milionë banorë, CDU-ja mund të vijë në krye të qeverisë së landit (nga partner i dytë aktualisht). Baden-Württemberg është një nga landet më të pasura, në jugperëndim të Gjermanisë, me peshë të madhe politike. Bashkë me Bavarinë, ai është një nga kontribuesit kryesorë financiarë për federatën. Një fitore në Baden-Württemberg mund të ketë edhe vlerë simbolike për CDU-në, pasi ky land ka 15 vjet që qeveriset nga një kryeministër i Gjelbër, Winfried Kretschmann. Në fund të marsit ka zgjedhje po në jugperëndim, në landin e Rheinland-Pfalz, me më shumë se 4 milionë banorë. Si parti, CDU-ja atje është përpara socialdemokratëve. Kjo në një kohë kur kryeministri aktual socialdemokrat, Alexander Schweizer, mbetet shumë popullor. Kujtoj se landi Rheinland-Pfalz ishte bastioni ku nisi karrierën kancelari Helmut Kohl. Por ka 35 vjet që atë e qeverisin socialdemokratët. Ndaj, rimarrja nga CDU-ja do të ishte një sukses historik për partinë e Friedrich Merz-it. Gjithsesi, vëmendje të madhe tërheq një land lindor: Sachsen-Anhalt, me mbi 2 milionë banorë, landi me të ardhurat më modeste për frymë në Gjermani.
News24: Pse janë kaq të rëndësishme zgjedhjet në Sachsen-Anhalt?
Auron Dodi: Ky është landi ku AfD-ja ultra e djathtë mund të fitojë, për herë të parë, një shumicë absolute. Në një sondazh disa javë më parë në Sachsen-Anhalt, AfD-ja arriti 40%. Kujtoj se në Gjermani, që nga Lufta e Dytë Botërore, asnjë parti e ekstremit të djathtë nuk ka qeverisur në nivel rajonal ose federal. AfD-ja shpreson që me një fitore të nxisë një riorganizim të të gjithë politikës në Gjermani. Ajo dëshiron që qeveria qendrore në Berlin të shpërbëhet që këtë vit, nëse frymës pro AfD-së i shtohet edhe thellimi i mosmarrëveshjeve mes partnerëve CDU/CSU e SPD. Në krye të qeverisë qendrore pastaj mund të vijë vetë AfD-ja. Në landin Sachsen-Anhalt, pas 20 vjetësh qeverisjeje të pandërprerë me partnerë të ndryshëm, CDU-ja mund të dalë e dyta. Sërish do t’i duhen parti të tjera për të formuar një qeveri. Por, meqenëse disa parti, sidomos të voglat, janë dobësuar, mund të mos futen dot në parlamentet rajonale. Shumë po flasin për një “pikë kthese” të mundshme, pasi AfD-ja mund të dalë nga izolimi i deritashëm.
News24: Në çfarë kuptimi do t’i lejonte një fitore në lindje AfD-së të dilte nga izolimi?
Auron Dodi: AfD-ja klasifikohet si parti “ekstremiste e djathtë” nga shërbimi i fshehtë i brendshëm i Gjermanisë, Zyra për Mbrojtjen e Kushtetutës. Në argumentimin për klasifikimin, ky shërbim citon edhe se kjo parti e përcakton popullin gjerman etnikisht dhe nuk përfshin në të si të barabartë shtetas gjermanë që kanë migruar këtu nga vende myslimane. AfD-ja tani është në sondazhe po aq e preferuar sa CDU-ja, herë merr njëra parti 25% apo 26%, herë tjetra. Nëse del e para AfD-ja në shtator, në landin Sachsen-Anhalt, por nuk arrin shumicë absolute, edhe asaj do t’i duhen parti të tjera për qeverisje. Partitë e tjera do të ndodhen para pyetjes së vështirë, a ta ndërpresin “kordonin sanitar” për mosbashkëpunim me të. Në të kaluarën, situata si kjo zakonisht i ka mobilizuar dhe bërë bashkë forcat politike. Kështu ndodhi në landin e Sachsen, që konsiderohej i humbur te AfD-ja, dhe në Thuringia. Ndaj edhe në landin Sachsen-Anhalt, një qeveri minoritare, e udhëhequr nga CDU-ja, e toleruar nga partia E Majta dhe ndoshta edhe nga Aleanca Sahra Wagenknecht, konsiderohet opsion realist. Kurse në landin tjetër lindor, Mecklenburg-Vorpommern, gjasat janë që qeveria të udhëhiqet edhe më tej nga socialdemokratët nën kryeministren Manuela Schwesig.
News24: A e pret pra Gjermaninë një vit i vështirë?
Auron Dodi: Kjo varet nga disa faktorë. Njerëzit e shohin të ardhmen me optimizëm kur situata ekonomike është e mirë. Por edhe kur ata vetë ndërmarrin veprime për të ndikuar pozitivisht në atë të ardhme. Nëse Gjermania kthehet te rritja ekonomike, qoftë edhe me një përqind, që është e mundur, edhe atmosfera e përgjithshme do të ndryshojë. Ngritja e pagës minimale për orë (nga 12.82 € në 13.90 €), ulja e TVSH për ushqimet (nga 19% në 7%) janë masa që hyjnë në fuqi këtë vit. Nga janari, reforma e shërbimit ushtarak u ofron 18-vjeçarëve mundësinë të kryejnë të paktën gjashtë muaj shërbim ushtarak. Kjo është një masë që ka potencialin të zbusë frikërat e përhapura nga lufta.
