“`html
Bumi i shtëpive me qira përballet me testin e parë: oferta po rritet më shpejt se kërkesa
Tregu i apartamenteve turistike po vijon zgjerimin me ritme të larta. Megjithatë, të dhënat më të fundit nga AirDNA, një kompani analize për qiratë afatshkurtra në platforma si Airbnb dhe Vrbo, tregojnë se oferta po rritet më shpejt se kërkesa. Ky zhvillim po reflektohet në një ngadalësim të rritjes së çmimeve dhe në uljen e normave të zënies.
Gjatë 12 muajve të fundit deri në mars 2026, Shqipëria ka regjistruar mesatarisht rreth 27 mijë njësi aktive në platformat Airbnb dhe Vrbo. Kjo shënon rritjen më të lartë vjetore të ofertës në rajonin e Ballkanit, me 19%. Tregu ka pësuar një transformim të ndjeshëm krahasuar me vitin 2019, kur numri i listimeve ishte nën 6 mijë.
Sipas AirDNA, periudha pas pandemisë u karakterizua nga rritje të forta si të kërkesës ashtu edhe të ofertës. Valë të reja hyrjesh në treg janë vënë re gjatë viteve 2022-2023 dhe sërish në 2024-2025.
Kërkesa për netë qëndrimi vijon të rritet. Gjatë vitit të kaluar, ajo u zgjerua me 18% krahasuar me një vit më parë. Të ardhurat e gjeneruara nga sektori arritën në 133.7 milionë euro, duke shënuar një rritje vjetore prej 19%.
Megjithatë, ritmi i zgjerimit të ofertës ka filluar të tejkalojë atë të kërkesës. AirDNA vëren se kjo prirje ka ndikuar në treguesit kryesorë të performancës:
- Norma mesatare e zënies arriti në 54% gjatë 12 muajve të fundit, krahasuar me 43% para pandemisë. Megjithatë, rritja vjetore e këtij treguesi është ngadalësuar dhe në disa periudha ka rënë në territor negativ.
- Çmimi mesatar ditor (ADR) u ngjit në 57 euro për natë, duke qenë mbi 50% më i lartë se niveli para pandemisë. Megjithatë, gjatë vitit të kaluar, rritja e çmimeve ishte vetëm 1% në krahasim me një vit më parë.
Të dhënat tregojnë gjithashtu se tregu shqiptar mbetet theksuar sezonal. Në vitin 2025, kërkesa në muajin shkurt përfaqësonte vetëm 28% të nivelit të korrikut dhe 23% të nivelit të gushtit, muajt me aktivitetin më të lartë turistik.
Sipas AirDNA, Shqipëria vazhdon të jetë një nga tregjet me zgjerimin më të shpejtë të akomodimit afatshkurtër në rajon, ndërsa oferta e re vijon të hyjë në treg pas rritjes së vazhdueshme të kërkesës në vitet e fundit.
“`
