Sigurimi i pronës, një treg i plogësht: Siguruesit besojnë se qeveria do të tërhiqet nga skema e propozuar
Tregu i sigurimit të pronës nga fatkeqësitë natyrore po vazhdon të tregojë një ecuri të ngadaltë edhe gjatë këtij viti. Të dhënat nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se për dhjetë muajt e vitit 2025, primet e shkruara bruto të sigurimit të pronës nga zjarri dhe forcat e natyrës arritën në 2.03 miliardë lekë. Kjo shifër paraqet një rritje prej 4.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Megjithatë, kjo rritje është ndjeshëm më e ulët në krahasim me rritjen mesatare prej 10.25% të tregut të sigurimit të jo-jetës. Si pasojë, pesha e këtij produkti në tregun e përgjithshëm të sigurimeve ka rënë, duke zënë 9.9% të volumit total të primeve të shkruara bruto, nga 10.4% që kishte vitin e kaluar.
Edhe pse ligjërisht sigurimi i pronës nga fatkeqësitë natyrore është vullnetar, në praktikë shumica e kontratave lidhen me pronat e përdorura si kolateral për kredi bankare. Në këto raste, sigurimi i pronës bëhet një kusht i vendosur nga banka për huamarrësin, duke e kthyer në një produkt faktikisht të detyrueshëm.
Rritja e shpejtë e kredisë për pasuri të paluajtshme në vitet e fundit ka mbështetur rritjen e tregut të sigurimit të pronës. Megjithatë, përmasat e tij mbeten modeste dhe zënë një peshë të ulët në krahasim me volumin total të tregut të sigurimeve në vend. Vlerësohet se rreth 5% e banesave në Shqipëri janë të siguruara, bazuar në numrin vjetor të policave të sigurimit dhe të dhënat e Censusit të vitit 2023.
Për më tepër, më shumë se 90% e primeve të sigurimit nga katastrofat natyrore janë përqendruar në qarkun e Tiranës, ndërsa pjesa tjetër e vendit mbetet kryesisht e pambuluar ndaj këtyre rreziqeve.
Në korrik të këtij viti, qeveria shqiptare riktheu për konsultim, pas dy vitesh, projektligjin për sigurimin e detyrueshëm të banesave nga tërmetet. Varianti i ri i projektligjit nuk sjell ndryshime thelbësore në konceptimin e skemës së sigurimit nga tërmetet krahasuar me versionin fillestar të vitit 2023. Ai përcakton detyrimin për sigurimin e të gjitha banesave në vend, me pak përjashtime (si shtëpitë e ndërtuara me materiale të papërshtatshme ose ndërtesat e lëvizshme/të përkohshme).
Skema e re parashikon krijimin e një entit publik, Fondi Kombëtar për Sigurimin e Detyrueshëm nga Tërmetet, i cili do të administrojë sigurimin. Shuma e sigurimit do të përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave, ndërsa primi i sigurimit do të vendoset nga Fondi, pas pëlqimit të ministrit të Financave.
Megjithatë, industria e sigurimeve ka shprehur vazhdimisht kundërshtimin e saj ndaj kësaj skeme, duke kërkuar një zgjidhje alternative që përfshin edhe shoqëritë private të sigurimit. Burime nga tregu i sigurimeve shprehin besimin se edhe ky variant i fundit i projektligjit, i hedhur për konsultim nga qeveria, nuk do të miratohet. Konsultimi publik për këtë projektligj është mbyllur në gusht, por ai ende nuk i është propozuar Kuvendit nga Këshilli i Ministrave.
