“`html
Treguesi i besimit në ekonomi e mbylli në rënie vitin 2025
Treguesi i ndjesisë ekonomike (TNE) shënoi një rënie prej 0.4 pikësh gjatë muajit dhjetor. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, kjo ulje e besimit në ekonomi u shkaktua kryesisht nga dobësimi i treguesve në sektorët e shërbimeve dhe të industrisë.
Në sektorin e tregtisë dhe për konsumatorët, treguesit e besimit mbetën thuajse të pandryshuar. Vetëm treguesi i besimit në sektorin e ndërtimit regjistroi një rritje.
Megjithatë, niveli aktual i TNE-së vazhdon të jetë rreth 6 pikë përqindje mbi mesataren historike.
Industria
- Treguesi i besimit në industri ra lehtësisht me 0.2 pikë përqindje në dhjetor, kryesisht për shkak të pritjeve më të ulëta për porositë nga eksportet.
- Ky tregues aktualisht është rreth 2 pikë përqindje mbi mesataren historike.
- Prisjet e bizneseve industriale për punësimin në të ardhmen kanë shënuar rritje, ndërsa çmimet e produkteve të ardhshme pritet të qëndrojnë pothuajse të njëjta.
Shërbimet
- Treguesi i besimit në sektorin e shërbimeve ra me 2.8 pikë përqindje në dhjetor.
- Pavarësisht rënies, niveli i tij mbetet rreth 6 pikë përqindje mbi mesataren afatgjatë.
- Ulja e besimit u diktua nga vlerësimet më pak optimiste të bizneseve për ecurinë aktuale të aktivitetit dhe nivelin e kërkesës.
- Prisjet për punësimin në të ardhmen janë ulur, ndërsa çmimet në të ardhmen pritet të rriten.
Tregtia
- Treguesi i besimit në sektorin e tregtisë për muajin dhjetor ishte thuajse i njëjtë me atë të nëntorit.
- Ky tregues qëndron rreth 9 pikë përqindje mbi mesataren historike.
- Vlera aktuale u ndikua nga ulja e vlerësimeve për ecurinë aktuale të biznesit dhe rritja e pritjeve për punësimin.
- Prisjet për ecurinë e biznesit dhe çmimet në të ardhmen kanë shënuar rënie.
Ndërtimi
- Treguesi i besimit në sektorin e ndërtimit u rrit me 4.5 pikë përqindje në dhjetor.
- Ky tregues aktualisht është 16.6 pikë përqindje mbi mesataren afatgjatë.
- Rritja mujore u ndikua nga të dy komponentët: vlerësimi i bizneseve për aktivitetin ndërtues dhe ai për porositë aktuale.
- Prisjet për çmimet në të ardhmen janë vlerësuar me rritje.
Besimi konsumator
- Treguesi i besimit konsumator për dhjetorin nuk ndryshoi krahasuar me muajin paraprak, duke qëndruar rreth 1.5 pikë përqindje mbi mesataren historike.
- Ndikimet e kundërta të elementëve përbërës u kompensuan, duke mos sjellë ndryshim në nivelin e treguesit të përgjithshëm.
- Vlerësimi për situatën ekonomike në të ardhmen dhe blerjet aktuale të mëdha u rritën këtë muaj, ndërkohë që pritjet për situatën financiare dhe blerjet e mëdha ishin më pak optimiste.
- Prisjet për nivelin e përgjithshëm të çmimeve në të ardhmen janë ulur.
“`
