Trump mbërrin në Pekin të mërkurën, zbardhet axhenda e diskutimeve për çështje globale
Presidenti amerikan Donald Trump do të mbërrijë të mërkurën në mbrëmje në Pekin, njoftoi Shtëpia e Bardhë. Programi zyrtar parashikon një aktivitet publik të enjten në mëngjes, ndërsa në mbrëmje do të zhvillohet një darkë zyrtare.
Para largimit të Trump të premten në mëngjes, janë planifikuar gjithashtu takime në nivel teknik mes delegacioneve të dy vendeve.
Shtëpia e Bardhë njoftoi se Presidenti amerikan dhe homologu kinez Xi Jinping do të diskutojnë për marrëveshje të reja në fushën e tregtisë dhe investimeve. Në fokus të bisedimeve pritet të jenë edhe sektorë si hapësira, bujqësia dhe energjia.
Trump gjithashtu pritet t’i propozojë Xi Jinping një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara gjatë vitit 2026.
Sipas një zyrtari amerikan, në tryezë do të jenë edhe çështje të tjera ndërkombëtare si Irani dhe Rusia, si dhe zhvillimet në fushën e inteligjencës artificiale dhe shqetësimet e Uashingtonit në këtë drejtim.
SHBA ka theksuar se nuk pritet ndryshim i politikës së saj ndaj Tajvanit, ndërsa është bërë e ditur se nuk ka pasur përparim në bisedimet me Kinën për çështjet bërthamore.
