Trump: Përgatitemi për një valë të dytë sulmesh, Maduro drejt SHBA-ve
Presidenti amerikan Donald Trump ka mbajtur një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp, ku ka diskutuar rreth një operacioni ushtarak kundër Venezuelës dhe mundësisë së arrestimit të presidentit të saj, Nicolas Maduro.
Sipas Trump, sulmi i parë ushtarak kundër Venezuelës është kryer me sukses. Ai gjithashtu deklaroi se Shtetet e Bashkuara janë të përgatitura për një valë të dytë sulmesh, e cila mund të jetë shumë më e madhe nëse situata e kërkon këtë.
“Ne mendojmë se një valë e dytë do të ishte e nevojshme, por tani për tani ndoshta nuk ka më nevojë. Megjithatë, jemi plotësisht të përgatitur”, theksoi Trump.
Presidenti amerikan shtoi se një bashkëpunim i ardhshëm mes Venezuelës dhe SHBA-ve do të kontribuonte në kthimin e Venezuelës në një shtet më të pasur, më të pavarur dhe më të sigurt. Ai vuri në dukje se ky zhvillim do të sillte përfitime edhe për komunitetin venezuelian që jeton në Shtetet e Bashkuara.
“Ata kanë vuajtur shumë, u është marrë gjithçka. Kjo nuk do të ndodhë më”, tha Trump.
Në deklaratat e tij, Trump e quajti Nicolas Maduron “diktator” dhe e akuzoi atë për drejtimin e një organizate të përfshirë në trafikimin e drogave të forta drejt SHBA-ve. Ai pretendoi se Maduro kishte bashkëpunuar drejtpërdrejt me kartelin e njohur si “Cartel de los Soles”, të cilin e konsideroi përgjegjës për përhapjen e drogës dhe vdekjen e mijëra amerikanëve.
Trump njoftoi gjithashtu se Maduro dhe bashkëshortja e tij do të përballen me drejtësinë amerikane. Sipas tij, presidenti venezuelian ndodhet tashmë në një anije drejt Nju Jorkut, ku pritet të gjykohet në territorin amerikan.
