Raporti i Axios: Administrata Trump në bisedime sekrete me Rusinë për një plan 28-pikësh për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë
Administrata Trump po punon në fshehtësi me Rusinë për hartimin e një plani të ri për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, sipas një raporti të publikuar nga Axios. Sipas burimeve të medias amerikane, bëhet fjalë për një draft me 28 pika, i ndarë në katër kategori kryesore:
- Paqe në Ukrainë
- Garanci sigurie
- Siguri evropiane
- Roli i ardhshëm i SHBA-së në marrëdhëniet me Rusinë dhe Ukrainën
Hartimi i planit drejtohet nga Steve Witkoff, i dërguari i Trump për çështjen ukrainase, i cili raportohet se e ka diskutuar dokumentin në mënyrë të detajuar me Kirill Dmitriev, të dërguarin rus.
Dmitriev deklaroi për Axios se gjatë vizitës së tij në Miami, nga 24 deri më 26 tetor, ka zhvilluar tre ditë takime intensive me Witkoff dhe anëtarë të tjerë të ekipit të Trump. Ai është shprehur optimist për procesin, duke thënë se “këtë herë qëndrimi rus po dëgjohet vërtet”.
Detajet mbi mënyrën se si plani trajton çështje të ndjeshme, si kontrolli territorial në Ukrainën lindore, nuk janë bërë publike. Një zyrtar ukrainas konfirmoi se Witkoff e ka diskutuar planin edhe me këshilltarin e sigurisë kombëtare të Presidentit Zelensky, Rustam Umerov, në një takim të zhvilluar këtë javë në Miami. “Ne e dimë që amerikanët po punojnë për diçka,” deklaroi zyrtari ukrainas.
Ndërkohë, një zyrtar amerikan i tha Axios se Presidenti Trump synon të arrijë një marrëveshje sa më shpejt për t’i dhënë fund luftës. “Presidenti (Trump) beson se është koha të ndalen vrasjet dhe të arrihet një marrëveshje. Ai mendon se ekziston mundësia për të përfunduar këtë luftë të pakuptimtë nëse të gjitha palët tregojnë fleksibilitet.”
Sipas Dmitriev, baza e planit është ndërtuar mbi parimet e dakorduara mes Trump dhe Putin gjatë takimit të tyre në Alaska gushtin e kaluar. Ai tha se synimi është krijimi i një propozimi të gjerë që trajton jo vetëm konfliktin në Ukrainë, por edhe rivendosjen e marrëdhënieve SHBA–Rusi dhe garantimin e sigurisë ruse. “Ky është një kuadër më i gjerë që pyet: Si mund t’i sjellim më në fund siguri të qëndrueshme Evropës, jo vetëm Ukrainës?”, tha zyrtari rus. Qëllimi, sipas tij, është që dokumenti të finalizohet para takimit të ardhshëm mes Trump dhe Putin.
