Trump zgjeron ndalimin e udhëtimit për 7 vende të reja

Trump zgjeron ndalimin e udhëtimit për shtatë vende të tjera, përfshirë palestinezët

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka zgjeruar ndalimin e udhëtimit duke përfshirë qytetarët e shtatë vendeve të tjera, mes tyre Sirinë, si dhe palestinezët. Manjati republikan ka nënshkruar një shpallje që ndalon ose vendos kufizime të mëtejshme për hyrjen e të huajve, me qëllim “mbrojtjen e sigurisë së Shteteve të Bashkuara”, sipas një deklarate të publikuar nga stafi i tij në Shtëpinë e Bardhë.

Vendet e reja të prekura nga kjo masë janë Burkina Faso, Nigeri, Mali, Sudani i Jugut dhe Siria. Në dy raste të tjera, Laosi dhe Sierra Leone, kufizimet fillestare po shndërrohen në një ndalim të plotë. Palestinezët që posedojnë dokumente udhëtimi të lëshuara nga Autoriteti Palestinez gjithashtu preken nga kjo masë.

Administrata Trump kishte vendosur më parë një ndalim të plotë hyrjeje për qytetarët e një duzine vendesh, ndërsa qytetarët e dhjetëra të tjerave i nënshtroheshin disa kufizimeve. Në rastin e Sirisë, masa u njoftua disa ditë pas një sulmi vdekjeprurës ndaj ushtarëve amerikanë në pjesën qendrore të vendit.

Administrata Trump pretendon se ka identifikuar vende ku kontrollet e sigurisë janë “aq të pamjaftueshme saqë justifikojnë pezullimin e plotë ose të pjesshëm të pranimit të shtetasve të tyre”. Teksti parashikon disa përjashtime, duke përfshirë personat që banojnë përgjithmonë dhe ligjërisht në Shtetet e Bashkuara, ata me viza të lëshuara më parë që i përkasin kategorive të veçanta (atletë, diplomatë, etj.), si dhe ata hyrja e të cilëve në territor “i shërben interesave kombëtare të Shteteve të Bashkuara”.

Që kur u rikthye në pushtet në janar, Donald Trump ka nisur një fushatë të gjerë kundër emigracionit të paligjshëm, duke shtrënguar ndjeshëm kushtet për hyrjen në Shtetet e Bashkuara dhe lëshimin e pasaportave, nën pretendimin e mbrojtjes së “sigurisë kombëtare”. Këto masa synojnë të parandalojnë hyrjen në vend të të huajve që “kanë qëllimin të kërcënojnë” amerikanët, si dhe të huajve që mund të “dëmtojnë kulturën, qeverinë, institucionet ose parimet themelore” të Shteteve të Bashkuara.

Kohët e fundit, presidenti amerikan ka shfaqur qëndrime të forta kundër somalezëve, duke theksuar se “ne nuk i duam ata në vendin tonë”. Në qershor, ai njoftoi një ndalim të hyrjes në SHBA për qytetarët nga dymbëdhjetë vende, kryesisht nga Azia dhe Lindja e Mesme (Afganistani, Mianmari, Çadi, Kongo-Brazzavili, Guinea Ekuatoriale, Eritrea, Haiti, Irani, Libia, Somalia, Sudani, Jemeni).

Nga ana tjetër, Turkmenistani – një nga vendet më të izoluara në botë – u përjashtua nga ndalimi, me Shtëpinë e Bardhë që vlerësoi “përparim të rëndësishëm” në shtetin e Azisë Qendrore. Qytetarët e këtij vendi mund të marrin përsëri viza për të hyrë në SHBA, por me kushtin domosdoshëm që ata të mos emigrojnë në vend. Gjatë mandatit të tij të parë (2017-2021), Donald Trump kishte synuar në mënyrë të ngjashme disa vende, kryesisht ato myslimane.

Scroll to Top