Gjysmë miliardë lekë të ardhura, rritet interesi i turistëve për site kulturore dhe historike
Turizmi kulturor në Shqipëri po përjeton një rritje të qëndrueshme, duke tërhequr gjithnjë e më shumë vizitorë vendas dhe të huaj.
Gjatë periudhës janar–shtator 2025, 1,2 milionë persona kanë zgjedhur të vizitojnë site të trashëgimisë kulturore në vend. Ky interes në rritje tregon se publiku po e vlerëson gjithnjë e më shumë historinë, arkeologjinë dhe identitetin kulturor të Shqipërisë.
- Në total, 538.508 vizitorë kanë frekuentuar parqet arkeologjike.
- 364.504 kanë vizituar muzetë.
- 356.762 kanë zgjedhur kalatë dhe monumentet historike.
Përveç rritjes së numrit të turistëve, është shtuar ndjeshëm edhe përfitimi ekonomik nga ky sektor. Sipas të dhënave të Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, gjatë nëntëmujorit të parë të vitit, të ardhurat e përfituara nga vizitat në site kulturore kanë arritur në 517 milionë lekë.
Nga këto fitime:
- Parqet arkeologjike kanë gjeneruar pjesën më të madhe, me 291 milionë lekë.
- Muzetë vijojnë me 120,5 milionë lekë.
- Kalatë dhe monumentet historike kanë sjellë 106 milionë lekë.
Ndërsa fillimviti shënon muajt me numrin më të ulët të fitimeve, piku i verës dhe vjeshtës kanë tërhequr më shumë turistë në site kulturore.
Këto rezultate dëshmojnë se trashëgimia kulturore po kthehet në një burim të rëndësishëm ekonomik dhe një element kyç të zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit në Shqipëri. Parqet arkeologjike, muzetë dhe kalatë po e ruajnë interesin e vizitorëve përgjatë gjithë vitit, duke forcuar lidhjen mes kulturës dhe ekonomisë vendase.