Turizmi në Shqipëri: Analizë Nëntor 2025 (Hyrje/Dalje)

Turizmi ngadalësohet në nëntor, të huajt u rritën 4.2%, shqiptarët udhëtojnë jashtë për festa

Ritmi i daljes së shqiptarëve jashtë vendit ishte më i lartë se ai i hyrjes së të huajve në Shqipëri gjatë muajit nëntor. Të dhënat e publikuara nga Instituti i Statistikave (INSTAT) për lëvizjen e shtetasve konfirmojnë se gjatë nëntorit, periudhë kur ka pasur disa festa kombëtare dhe ditë pushimi, vendasit kanë preferuar të udhëtojnë jashtë vendit.

Konkretisht, sipas INSTAT, në nëntor 2025, kanë hyrë në territorin e Republikës së Shqipërisë 1.282.118 shtetas shqiptarë dhe të huaj. Ky numër ka pësuar një rritje prej 1.4% krahasuar me nëntorin e vitit 2024.

Ndërsa, 1.322.499 shtetas shqiptarë dhe të huaj rezultojnë të kenë dalë nga territori i Republikës së Shqipërisë, duke shënuar një rritje prej 3.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Operatorët turistikë thanë se vjeshta ka shënuar një ecuri më të mirë të turistëve krahasuar me vitin e kaluar, dhe se shtatori e tetori ishin në nivele të kënaqshme. Ndërkohë, nëntori pati një ngadalësim, pjesërisht edhe për shkak të motit jo shumë të qëndrueshëm.

Në nëntor 2025, numri i shtetasve shqiptarë që kanë hyrë në territorin shqiptar ishte 652.150, duke pësuar një rënie prej 1.3% krahasuar me nëntorin e vitit 2024. Numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar ishte 629.968. Ky numër është rritur me 4.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, sipas njoftimit të INSTAT.

Lidhur me daljet në muajin nëntor 2025, 677.065 shtetas shqiptarë kanë dalë nga territori i Shqipërisë, duke shënuar një rritje prej 7.5% krahasuar me nëntorin e vitit 2024.

“Daljet e shtetasve të huaj nga territori i Shqipërisë gjatë muajit nëntor 2025 janë 645.434. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ky tregues paraqitet pothuajse i pandryshuar, me një rënie shumë të lehtë prej 0.01%,” vlerëson INSTAT.

Sipas njoftimit, nëntorin 2025, 96% e hyrjeve të shtetasve të huaj në Shqipëri janë nga rajoni i Evropës. Europa Jugore zë 86% të hyrjeve të shtetasve të huaj nga kontinenti Evropian, ndjekur nga Evropa Perëndimore me 5%, dhe Evropa Qëndrore/Lindore dhe Evropa Veriore secila me 4%.

Operatorët turistikë theksojnë se vizitorët nga Europa Perëndimore dhe më gjerë po vizitojnë Shqipërinë sidomos gjatë vjeshtës dhe pranverës, me një interes të shtuar për turizmin kulturor. Përveç italianëve, të cilët mbeten grupi më i rëndësishëm pas Kosovës, edhe Gjermania apo Franca po rrisin dukshëm peshën e tyre.

Sipas INSTAT, qëllimi i hyrjes në territorin shqiptar i shtetasve të huaj, në 97% të rasteve është për qëllime personale. Në nëntor 2025, ky tregues ka shënuar një rritje prej 4.5% krahasuar me nëntorin e vitit 2024. Hyrjet e shtetasve të huaj për qëllime biznesi dhe profesionale kanë rënë me 3.6%.

Scroll to Top