Turizmi nuk pret surpriza, ecuri e njëjtë me vitin 2025
Sektori i turizmit pati një rritje të numrit të vizitorëve vitin e kaluar, por kjo nuk u përkthye në më shumë të ardhura, sipas bizneseve që ofrojnë shërbime në këtë sektor. Operatorët turistikë argumentojnë se kjo situatë lidhet me ndryshimin e tipologjisë së turistit gjatë vitit 2025, ku u karakterizuan të rinj aventurierë që kërkojnë të përjetojnë sa më shumë duke shpenzuar sa më pak. Destinacioni, i promovuar gjerësisht në rrjetet sociale si vend me bukuri natyrore, ushqim të mirë dhe kosto të ulët, duket se ka tërhequr kryesisht kategorinë e turistëve “kursimtarë”.
Operatorët turistikë nuk presin ndonjë surprizë për vitin 2026. Pritet që trajektorja e nisur vitin e kaluar, që pati një rritje më të zbehtë se viti 2024, të vazhdojë edhe këtë vit. Gjasat janë për një rritje të moderuar, duke ndjekur trendin e kontratave me garanci të turizmit të organizuar. Këto të fundit, megjithëse me rritje nga viti 2025, janë ngadalësuar për shkak të zhgënjimit të agjencive të huaja nga vlerësimet e klientëve gjatë sezonit të kaluar. Klientët kanë kritikuar destinacionin për probleme bazike, si mungesa e ujit në Golem, ndërprerjet e energjisë në disa zona, si dhe ndotja dhe djegia e mbetjeve në Vlorë gjatë pikut të sezonit.
Turizmi i organizuar dhe ai individual, tendencat e pritshme
Në thelb, sektori i turizmit synon ruajtjen e qëndrueshmërisë së interesit të turistëve të huaj, nëse jo një rritje të dukshme. Kjo do të ofrojë garanci në afatshkurtër, por kërkon masa urgjente për qëndrueshmëri në afat më të gjatë. Shqipëria pritet të ketë rritje vizitorësh për turizmin kulturor, i cili ka qenë vendimtar në bilancin total gjatë dy viteve të kaluara, ndërkohë që sezoni i verës mbetet i paqartë.
Sipas të dhënave paraprake, pritet që turizmi i organizuar të dominohet edhe këtë vit nga turistët polakë, ndërsa ai individual nga Kosova dhe Italia, megjithëse këto dy grupe po tregojnë luhatje. Turistët gjermanë kanë shënuar rritje dhe janë kthyer në një grup të dytë, njësoj me Italinë, gjatë tureve të vjeshtës së vitit 2025. Ata rezultuan me prani të njëjtë në hotele me italianët, sipas anketave të strukturave akomoduese.
“Duhet të shohim me kujdes këto tendenca, sepse shqiptarët e Kosovës dhe italianët janë dy grupet më të mëdha të turizmit të paorganizuar, kurse polakët më të mëdhenjtë në turizmin e organizuar dhe gjasat janë që tendenca të mbetet e tillë edhe këtë vit. Franca, nga ana tjetër, edhe pse me tendencë në rritje, ka numër të vogël turistësh. Izraeli është një tjetër treg që ka pasur rritje. Janë të paktën 100 mijë turistë që kanë ardhur nga ky vend, nga prilli e deri në tetor 2025. Ideja është që për Shqipërinë vijon të ketë interes, por ne duhet të reflektojmë dhe të bëjmë korrigjimet tona për të mos humbur terren. Gjasat janë që viti 2026 të jetë i njëjtë si 2025-a”, – shprehet z. Kasa.
Në të njëjtin mendim është edhe Arben Çipa nga “Sipa Tours”, i cili gjykon se viti 2026 do të jetë njësoj si viti i kaluar, si në tipologji turistësh, ashtu edhe në të ardhura. Kjo do të thotë se prurja kryesore turistike individuale do të vijë nga viraliteti i rrjeteve sociale, të cilat janë kthyer në promotorët më të mëdhenj të sektorit. Megjithatë, kjo jo gjithmonë sjell turist cilësor, në kuptimin e dëshirës apo aftësisë për të paguar një ofertë turistike sa më të larmishme.
“Kjo është një tipologji e re ku mbizotërojnë kryesisht moshat e reja që zgjedhin të shpenzojnë pak dhe të krijojnë eksperienca. Kërkojnë alternativat më të lira. Të rinjtë kështu sillen kudo, jo vetëm në Shqipëri. Ata u referohen rrjeteve sociale dhe “viraliteti” i Shqipërisë për disa aspekte të saj si peizazhet natyrore apo çmimet e lira e kanë joshur këtë turist të vendosë të vijë të shohë. Popullariteti i Shqipërisë online tërhoqi vetvetiu këtë grup dhe nuk është se ne targetuam një kategori specifike vetë, ishin algoritmet që sollën këto grupe”, – shprehet z. Çipa.
Nga shërbimi te mungesa e ujit dhe infrastruktura, pikat ku duhet të reflektojmë
Gjatë vitit të kaluar, shërbimi në sektorin e turizmit ka vijuar të shfaqë presionin që sjell mungesa e fuqisë punëtore, sidomos asaj të kualifikuar. Z. Çipa shprehet se shërbimi te ne mbetet ende elementar. Ai gjykon se ky vit do të jetë disi më ndryshe dhe do të na gjejë më të përgatitur, sepse po rekrutohen vazhdimisht punonjës të huaj.
“Ndoshta mund të evoluojmë pak në shërbim, pasi pjesën më të madhe të stafit po e marrim nga jashtë dhe kjo do të na bëjë të mundur që të përmirësohemi disi, por duhet të vihet theksi te profesionistët e sektorit që janë pika kyçe”, – nënvizon z. Çipa.
Gjatë 2025-s, problemet në shërbime bazë ishin të theksuara në rajone të ndryshme të vendit, gjë që është e pakonceptueshme për zonat turistike. Për z. Kasa, këto elemente përkeqësojnë vlerësimin e përgjithshëm turistik të Shqipërisë.
“Problem kryesor ka qenë mungesa e shërbimit. Turistët kanë pasur rezerva për këtë dhe nuk kanë nguruar ta shprehin si ankesë, qoftë tek agjencitë e tyre, qoftë në biseda. Kur ti paguan një dhomë me çmimin 300-400 euro është e pakonceptueshme që të të duhet të presësh 20 minuta për një kafe që është gjëja më e thjeshtë. Problemeve të tjera ne u kemi dhënë zë vazhdimisht. Ankesat janë kryesisht për kantieret e ndërtimit që mbeten hapur gjatë sezonit. Subjektet ndërtojnë fare pranë strukturave akomoduese dhe kjo e kthen pushimin në një stres për turistët. Zhurmat që shkakton ndërtimi orar pa orar, inertet por edhe pamja që kanë objektet e papërfunduara nuk është aspak mikpritëse për syrin e një turisti dhe nuk të jep përshtypjen që je në një zonë turistike”, – nënvizon z. Kasa.
Baret dhe restorantet nuk presin rritje konsumi dhe shtrenjtim çmimesh në vitin 2026
Gjatë 2025-s, konsumi në bare dhe restorante ishte më i ulët krahasuar me 2024. Operatorë të tregut pohuan se kërkesa për periudhën e verës ishte 10 deri në 15% më pak sesa periudha paraardhëse. Kryetari i Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve, Enri Jahaj, thotë se arsyet kryesore që ndikuan në rënien e konsumit në vitin 2025 lidhen me rënien e fuqisë blerëse dhe mbizotërimin e një ndjenje pasigurie te konsumatori.
“Arsyeja e parë është rënia e fuqisë blerëse në vend dhe mbizotërimi i një ndjenje pasigurie. E dyta, ndryshimi i sjelljes së klientëve: nuk ka një konsum të qëndrueshëm nëpër bare dhe restorante, por ka një konsum në dërgesa dhe nëpër markete – pra konsumatori është bërë më i ndjeshëm ndaj rritjes së çmimeve. E treta, oferta e tregut është pak a shumë e njëjtë, pra nuk ka një ofertë alternative dhe klientët e dinë se çfarë të presin.”
Edhe gjatë 2026-s, ecuria e aktivitetit të operatorëve të sektorit pritet të jetë e luhatshme. Kryetari i Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve Enri Jahaj, thotë se tregu ndodhet në një proces vetërregullimi, por ky proces po shoqërohet edhe me hapje të shumta ambientesh të reja shërbimi, të cilat veprojnë në mënyrë agresive për të tërhequr klientë. Kjo sjell prishje të ekuilibrave të tregut dhe, në shumë raste, largimin e këtyre aktorëve pas një periudhe të shkurtër, duke krijuar dëme edhe për bizneset ekzistuese. Këto subjekte, sipas tij, ofrojnë produkte dhe shërbime nën kosto dhe paguajnë paga jashtë normales, duke deformuar konkurrencën.
Ndërkohë, çmimet e lëndëve të para vijojnë të rriten, po ashtu edhe kërkesat e stafit për paga më të larta.
“Tregu pritet të ketë luhatje edhe për vitin 2026, pasi çmimet e lëndës së parë sa vijnë e shtohen, gjithashtu edhe kërkesat për paga më të larta nga stafi. Po shkojmë drejt pagave të rajonit (Itali, Greqi), por çmimet e produkteve nuk mund t’i ngremë në të njëjtin standard”, shpjegon z. Jahaj.
Për vitin 2026, nuk pritet një rritje agresive e çmimeve. Përvoja e vitit 2025 tregoi se rritja e pakontrolluar e çmimeve çoi në largimin e konsumatorit vendas. Sipas z. Jahaj, aktorët e tregut tashmë e kanë kuptuar këtë dinamikë dhe do të fokusohen më shumë tek oferta alternative dhe menaxhimi i kostove.
Problematikë e mprehtë është edhe vështirësia për gjetjen e punonjësve dhe informaliteti për pagat e tyre. Në vitin 2023, në këtë sektor, Shoqata e Bareve dhe Restoranteve llogariste një mungesë prej 15 mijë punonjësish. Enri Jahaj thotë se për sa i përket fuqisë punëtore, viti 2026 pritet të sjellë rritje të pranisë së punëtorëve të huaj në sektor.
“Tabuja e punësimit të të huajve ka rënë dhe po kërkohen gjithnjë e më shumë punonjës të kualifikuar dhe të certifikuar. Ndërkohë, të rinjtë vendas nuk e shohin sektorin e bareve dhe restoranteve si një mundësi punësimi afatgjatë, por më tepër si një etapë kalimtare, drejt punëve më të rehatshme dhe me më pak stres.”
Në vend janë gjithsej 15,5 mijë bare, nga 22 mijë në vitin 2015, duke qenë aktiviteti i dytë më i përhapur në vend, pas biznesit të pakicës. Sipas të dhënave të regjistrit të bizneseve të INSTAT, në vitin 2021 u mbyllën 854 aktivitete të shërbimeve të ushqimeve e pijeve, me rënie 5.2%. Referuar të dhënave të INSTAT, deri në 2019, në këtë sektor ishin të punësuar 45,000 persona. Numri i të punësuarve konsiderohet më i lartë, për shkak të informalitetit.
