Turkish Airlines largohet, Air Albania me probleme dhe humbje

Turkish Airlines heq dorë nga Air Albania, nis fluturimet direkte drejt Tiranës; të dyja kompanitë po shesin bileta

Ka marrë fund pa një përfundim të suksesshëm bashkëpunimi fillestar mes shoqërisë turke të fluturimeve “Turkish Airlines” dhe “Air Albania”, kompanisë shqiptare ku shteti zotëron 10% të aksioneve. Pasi njoftoi në nëntor se kishte nxjerrë në shitje kuotën e saj prej 49% në “Air Albania”, operatori turk ka bërë të ditur se do të nisë fluturimet direkte nga Tirana.

Në faqen e “Turkish Airlines” bëhet me dije se nga data 10 janar do të jetë e mundur rezervimi i biletave. Nga verifikimet rezulton se biletat mund të blihen që nga shkurti me çmime që variojnë nga 51-58 euro për një drejtim. Përmes Turkish Airlines, pasagjerët mund të udhëtojnë tranzit nga Stambolli drejt destinacioneve të ndryshme anembanë botës. Aeroporti i Stambollit, që nga tetori, është aeroporti më i madh në Europë, duke kaluar në rëndësi Heathrow të Londrës.

Edhe Air Albania vazhdon të shesë bileta

Më 19 nëntor, Turkish Airlines njoftoi vendimin për të shitur gjithë pjesën e saj prej 49% në Air Albania. Një javë më pas, Turkish Airlines bllokoi shitjen e biletave tranzit përmes Air Albania, duke detyruar ata që kishin blerë bileta tranziti të udhëtonin drejt Stambollit përmes Podgoricës ose Prishtinës. Këtu filluan problemet për operatorin shqiptar.

Air Albania filloi të anulonte fluturimet drejt Stambollit, ndërkohë që vazhdoi të shiste bileta në sistem, pavarësisht konfirmimit nga Autoriteti i Aviacionit Civil se ka pezulluar licencën e saj. Sipas informacionit të disponueshëm në faqen zyrtare, fluturimi i radhës i Air Albania drejt Stambollit është planifikuar për datën 30 dhjetor, me një çmim prej 103 euro vetëm vajtje, ndërsa për datën 2 janar, çmimi arrin në 173 euro për një drejtim.

Kompania ka më shumë se një muaj që shet bileta dhe më pas anulon fluturimet, pa dhënë asnjë njoftim zyrtar apo duke marrë përgjegjësi për klientët që kanë blerë bileta.

Sipas të dhënave nga Tirana International Airport, pesha e tregut të Air Albania, për periudhën janar-qershor 2025, sipas numrit të pasagjerëve, ka rënë në 2.5%, nga 18% që kishte në vitin 2021. Konkurrenca nga “Wizz Air” dhe “Ryanair” ka ndikuar më pas në aktivitetin e këtij operatori në destinacionet jashtë Stambollit.

Të dhënat zyrtare nga Tirana International Airport tregojnë se për vitin 2024, nga dhe drejt Stambollit nga Rinas udhëtuan rreth 408 mijë pasagjerë, duke e renditur këtë destinacion të gjashtin për nga trafiku, pas Milano+Bergamo, Londrës, Romës, Bolonjës, Trevizos dhe Pizës.

Air Albania nuk ka dorëzuar asnjëherë bilanc. Sipas të dhënave nga Tatimet, qarkullimi vjetor i kompanisë ka qenë 4-5 miliardë lekë në vit, ndërkohë që operatori ka rezultuar gjithmonë me humbje, duke e kthyer atë sot në një shoqëri praktikisht të falimentuar dhe duke bërë që Turkish Airlines ta braktisë.

Fundi pa lavdi i premtimeve të Air Albania

Air Albania u themelua zyrtarisht më 16 maj 2018 si një partneritet publik-privat mes Shqipërisë dhe Turqisë. Linja ajrore kishte si aksioner kryesor kompaninë turke Turkish Airlines (49,12%), ndërsa aksionet e mbetura ndahen mes ndërmarrjes shtetërore shqiptare Albcontrol (~10 %) dhe një kompanie private shqiptare MDN Investment (~41 %).

Kompania, e cila u promovua gjerësisht nga qeveria, kishte plane ambicioze, si zgjerimi i destinacioneve në Europë me linja drejt Italisë dhe Britanisë, të cilat u realizuan përkohësisht, si dhe ato drejt SHBA-së, siç u reklamua nga Kryeministri Rama një vit më parë në një takim me diasporën në SHBA.

“Jemi duke diskutuar me kompaninë Air Albania, për të mundësuar më në fund një fluturim të drejtpërdrejtë të Air Albania. Fluturimin e parë kur do të ndodhë nuk jua them dot, por kur të ndodhë do ta bëjmë patjetër këtu në Nju-Jork,” do të shprehej Rama në Tetor 2024.

Scroll to Top