Rusia fiton territor sa Luksemburgu pa luftë
Çfarë humb Ukraina nëse pranon planin e SHBA-së?
Agjencia Franceze e Lajmeve (AFP) ka analizuar humbjet territoriale që Ukraina do të pësonte nëse pranonte planin amerikan të paqes. Sipas analizës së të dhënave të ofruara për AFP-në nga Instituti Amerikan për Studimin e Luftës (ISW), Rusia do të mund të fitonte pa luftë një territor pothuajse sa sipërfaqja e Luksemburgut.
Plani, i cili ka rënë në duart e AFP-së, parashikon tërheqjen e ushtrisë ukrainase nga zona që ajo ende kontrollon, duke i sjellë Rusisë një përfitim neto prej rreth 2.300 kilometrash katrorë, pothuajse sa sipërfaqja e Luksemburgut (2.590 km²), pa qenë e nevojshme luftë.
Sipas planit:
- Kievi do të duhej të hiqte dorë edhe nga gati 5.000 km² në rajonin e Donetskut, zonë që kontrollon aktualisht, për t’u përdorur si “zonë neutrale”.
- Një tjetër zonë prej 45 km² në Luhansk do të duhej gjithashtu të lihej.
- Këto humbje përfshijnë qytetet e mëdha Kramatorsk dhe Sloviansk.
Në këmbim, Moska do të kthente Ukrainës:
- Rreth 2.000 km² territor në rajonin e Kharkivit, të cilin e pretendon ose e kontrollon pjesërisht.
- 450 km² në Dnipropetrovsk.
- 300 km² në Sumy.
- 20 km² në Chernihiv.
Dokumenti parashikon gjithashtu njohjen de facto të kontrollit rus mbi Krimean, e aneksuar nga Moska në vitin 2014, si edhe mbi rajonet Donetsk e Luhansk. Ai i lë gjithashtu Rusisë territore të mëdha që ajo mban aktualisht në rajonet Kherson dhe Zaporizhia.
Në fund, plani i propozuar nga Uashingtoni do të zyrtarizonte dorëzimin nga Ukraina të rreth 20% të territorit të saj, ndërsa do të rifitonte më pak se 0,5%.
Që nga fillimi i nëntorit, ushtria ruse ka avancuar me rreth 400 km² në territorin ukrainas, me një ritëm më të shpejtë krahasuar me muajt shtator dhe tetor. Më 20 nëntor, Rusia kontrollonte plotësisht ose pjesërisht 19,3% të territorit ukrainas. Rreth 7%, që përfshin Krimenë dhe pjesë të Donbasit, ishte nën kontroll rus edhe para pushtimit të shkurtit 2022.
