Ukraina kërkon sisteme Patriot, Trump dhe Kongresi nën presion

Zelensky i dërgon letër Trumpit, i dërguari i Kievit thekson se raketat Patriot janë jetike për Ukrainën

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, u ka dërguar një apel të drejtpërdrejtë presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe Kongresit amerikan, duke paralajmëruar se Ukraina ka nevojë urgjente për sisteme shtesë raketore Patriotë. Kjo kërkesë vjen si pasojë e rritjes së sulmeve ruse me raketa balistike kundër qyteteve ukrainase.

Në një letër prej pesë faqesh, të dorëzuar në Shtëpinë e Bardhë dhe në Kongres, Zelensky ka theksuar se aftësia e Ukrainës për të mbrojtur civilët varet tani kryesisht nga sistemet Patriotë, të prodhuara në SHBA. Ai i ka përshkruar raketat balistike si një nga përparësitë kryesore që i kanë mbetur Moskës në fushën e betejës.

Ambasadorja e Ukrainës në Shtetet e Bashkuara, Olha Stefanishyna, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë (REL) më 27 maj, u shpreh se mesazhi i Kievit ishte se ndryshimet në retorikën diplomatike nuk kanë sjellë ndryshime në situatën reale në terren. “Realiteti në terren nuk po ndryshon. Njerëz po vdesin,” theksoi ajo.

Zelensky ka shkruar në letër, një kopje e së cilës u sigurua nga REL, se ndërsa “fati i jetës së shumë njerëzve” po vendoset në luftë, sistemet Patriotë mbeten “mbrojtja më efektive kundër çdo lloj rakete balistike ruse.”

Kjo thirrje vjen në një kohë kur administrata Trump po tregon hezitim për të ofruar paketa të mëdha të ndihmës ushtarake direkte për Kievin, duke u mbështetur në mekanizmin e “Kërkesave Prioritet për Ukrainën” (PURL), sipas të cilit aleatët e NATO-s blejnë sisteme armësh amerikane për Ukrainën. Megjithatë, Zelensky ka paralajmëruar se dërgesat në kuadër të këtij programi nuk po ecin me ritmin e nevojave në fushën e betejës.

“Ritmi i tanishëm i dërgesave përmes programit PURL nuk po arrin më të përputhet me realitetin e kërcënimit me të cilin përballemi,” ka shkruar ai.

Presidenti ukrainas gjithashtu ka vënë në dukje rritjen e kërkesës globale për interceptorë Patriotë, mes presioneve më të gjera ndërkombëtare të sigurisë dhe kërkesave konkurruese për rezervat amerikane. “Për ne, për një komb që lufton për mbijetesë, vështirë se ka diçka më të dhimbshme sesa të shohësh bateri Patriotë pa raketa të ngarkuara,” ka shkruar Zelensky.

Në një postim në rrjetet sociale më 27 maj, Zelensky tha se, edhe pse mund të jetë e pazakontë që një lider i huaj t’i drejtohet njëkohësisht presidentit amerikan dhe Kongresit, kjo situatë kërkon “veprim të shpejtë dhe efektiv.” “Është e rëndësishme që Amerika ta dëgjojë Ukrainën,” shtoi ai, duke theksuar se lufta e Rusisë kundër Ukrainës, tashmë në vitin e pestë, mbetet një luftë për ekzistencë.

“Sa më shpejt të jemi në gjendje të kemi mbrojtje më të madhe kundër kërcënimeve balistike, aq më shpejt do të mund ta bëjmë diplomacinë të funksionojë,” shkroi Zelensky. “Për sa kohë Rusia vazhdon të mbështetet te raketat, interesi i saj për diplomaci nuk është i mirëfilltë.”

Kjo thirrje ka shkaktuar reagime të shpejta në Kongres. Ligjvënësi i lartë republikan, Joe Wilson, i tha REL-it se Ukraina mbetet partnere kyç në përballjen me kundërshtarët e përbashkët. “Ukrainasit po mbrojnë me guxim atdheun e tyre ndërsa po inovojnë dhe po qëndrojnë përkrah Amerikës kundër regjimit terrorist në Teheran,” tha Wilson. “Krimineli i luftës Putin po vret besimtarë nëpër kisha dhe fëmijë që luajnë, ndërsa furnizon hapur terroristët në Teheran për të vrarë amerikanë. Ai po humb dhe është i dëshpëruar. Mbrojtja ajrore shpëton jetë dhe Ukraina është partnere e provuar kundër terrorizmit.”

REL-i kontaktoi Shtëpinë e Bardhë për koment, por nuk mori përgjigje të menjëhershme. Disa zyra të Kongresit thanë se ligjvënësit e tyre ende nuk e kishin shqyrtuar letrën.

Stefanishyna shtoi se Rusia, “në dëshpërimin e saj” dhe nën “presion të madh nga të gjitha anët”, po përshkallëzon sulmet, përfshirë goditjet me raketa, luftën kibernetike, fushatat e dezinformimit dhe përpjekjet për frikësim ndaj Ukrainës dhe partnerëve të saj. Ambasadorja theksoi se aftësia e Ukrainës për të luftuar raketat balistike mbetet pothuajse tërësisht e varur nga Shtetet e Bashkuara.

“E vetmja gjë që është vetëm në dispozicion të Qeverisë amerikane është aftësia për të interceptuar raketat balistike,” tha ajo. “Dhe, ky është një kapacitet mbrojtës që na nevojitet dhe i vetmi për të cilin jemi vërtet të dëshpëruar të arrijmë marrëveshje me Shtetet e Bashkuara.” Ajo shtoi se Ukraina është e gatshme të financojë sisteme dhe interceptorë shtesë. “Ne do të jemi në gjendje të paguajmë për këtë, pa asnjë dyshim.”

Një argument qendror në letrën e Zelenskyt është se mbrojtja më e fortë ajrore mund të ndihmojë në ndryshimin e llogaritjeve të Moskës dhe të krijojë hapësirë për diplomaci. “Raketat balistike janë përparësia e fundit madhore për [presidentit rus Vladimir] Putin,” shkroi ai, duke paralajmëruar se Rusia do të vazhdojë të përdorë sulmet me raketa “për ta shmangur diplomacinë” nëse Ukraina nuk arrin ta kundërshtojë kërcënimin.

Stefanishyna tha se Moska po përpiqet të shfrytëzojë përçarjet mes aleatëve perëndimorë. “Kemi parë shumë retorikë radikale që vendos shumë nuanca gri mes diçkaje që është vërtet bardhezi, e mirë dhe e keqe,” tha ajo. “Ata mendojnë se mund ta përdorin këtë duke minuar unitetin.” Ajo paralajmëroi gjithashtu se sulmet ruse mund të intensifikohen edhe më tej. “Ne e kuptojmë se koha më e errët për Rusinë ka filluar të vijë,” tha ajo. “Ata do të bëhen më të dëshpëruar për të vrarë më shumë ukrainas.”

William B. Taylor Jr., ish-diplomat kryesor i Uashingtonit në Kiev, tha se nevoja e Ukrainës për sistemet Patriotë është bërë gjithnjë e më urgjente. “Nevoja për armë kundër raketave balistike si Patriotët është serioze,” i tha ai REL-it më 27 maj. “Ukrainasit mund t’i rrëzojnë dronët [rusë] mjaft efektivisht,” tha ai, duke përmendur aftësitë në zgjerim të mbrojtjes ajrore vendase të Ukrainës. “Por, problemi janë raketat balistike.” Taylor tha se mungesa globale për interceptorë Patriotë po e ndërlikon pozitën e Ukrainës. “Patriotët janë në mungesë në gjithë botën.”

Ai argumentoi se trysnia ndërkombëtare ndaj Rusisë duhet të rritet për shkak të sulmeve të saj ndaj civilëve. “Çdo komb i qytetëruar duhet të kërkojë që rusët t’i ndalojnë sulmet ndaj civilëve në Ukrainë,” tha Taylor. Ai shtoi gjithashtu se mbështetja për zhvillimin e mbrojtjes ajrore të vetë Ukrainës duhet të mbetet prioritet për qeveritë perëndimore.

Letra shënon një nga thirrjet më të drejtpërdrejta të Kievit deri tani ndaj udhëheqjes amerikane që nga fillimi i luftës, duke nënvizuar shqetësimin në rritje në Ukrainë se vonesat në dërgesat e mbrojtjes ajrore mund t’i lënë qytetet gjithnjë e më të ekspozuara ndaj sulmeve me raketa balistike ruse.

Scroll to Top