Ukraina po zhvillon një sistem të ri raketor, i ngjashëm me sistemin amerikan “Patriot”. Presidenti Volodymyr Zelensky deklaroi se ky sistem do të prodhohet në masë me mbështetjen e partnerëve evropianë.
Një sistem mbrojtës kundër raketave, i krahasueshëm me sistemin amerikan “Patriot”, po zhvillohet në Ukrainë me ndihmën e partnerëve evropianë. Ky projekt, i quajtur Freya, u bë i ditur këtë mbrëmje nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.
“Do të thoja se është një sistem evropian, por që mbetet nën kontrollin tonë. Projekti synon të krijojë një sistem raketash balistike ekuivalent me ‘Patriot’ për sa i përket aftësive të interceptimit, por me fokus më të madh te prodhimi masiv dhe një kosto më të ulët. Ky është, të paktën, qëllimi që u kam vënë prodhuesve tanë,” tha Zelensky në një mesazh audio drejtuar gazetarëve, i cili u transmetua në rrjetet sociale.
Presidenti ukrainas shtoi se takimi i parë me partnerët potencialë do të mbahet “shumë shpejt në Francë”, pa dhënë një datë të saktë. Zelensky theksoi se projekti pritet të zgjasë me vite.
Sipas një artikulli të mëparshëm të gazetës britanike Financial Times, interceptori i quajtur FP-7.X është testuar muajin e kaluar në Ukrainë.
