Aksidentet Rrugore Shënojnë Ulje në Shtator; Mosha 25-34 Vjeç Më Problematike në Timon
Muaji shtator i këtij viti ka shënuar një ulje të numrit të aksidenteve rrugore krahasuar me të njëjtin muaj të vitit paraprak. Instituti i Statistikave (INSTAT), në publikimin e tij më të fundit mbi aksidentet rrugore, raporton se ky numër ka rënë me 16.3 për qind.
Sipas INSTAT, të dhënat e raportuara janë paraprake dhe mund t’i nënshtrohen përditësimeve.
“Në muajin Shtator 2025 janë regjistruar 102 aksidente rrugore, nga të cilët 135 persona janë të aksidentuar (të vrarë dhe të plagosur). Gjatë periudhës Janar-Shtator 2025, numri i aksidenteve rrugore është ulur me 16,3 %, krahasuar kjo me të njëjtën periudhë të një viti më parë,” thuhet në publikim.
Një tjetër aspekt i analizuar nga INSTAT është se shumica e aksidenteve shkaktohen nga sjellja e drejtuesve të mjeteve. Grupmosha më problematike, sipas të dhënave të përpunuara për këtë periudhë, është ajo e 25-34 vjeç.
“Aksidentet rrugore, në 91.2% të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesve të mjeteve. Numri më i lartë i aksidenteve, në këtë periudhë, është shkaktuar nga grup-mosha 25-34 vjeç, e cila përbën 26.5% të numrit total të aksidenteve.
Në muajin Shtator 2025, numri më i lartë i aksidenteve rrugore ka ndodhur gjatë ditës së hënë, duke zënë 19.6% të totalit. Ndërkohë, numri më i ulët i aksidenteve është regjistruar gjatë ditëve të mërkurë, enjte dhe të premte, me nga 9.8% secila.
Periudha orare me numrin më të lartë të aksidenteve rrugore ka qenë mes orës 14:00-17:00 dhe 19:00-24:00, duke zënë secila nga 23.5% të numrit të përgjithshëm të aksidenteve,” thuhet në publikimin e INSTAT.
