Nafta ulet edhe me 2 lekë për litër
Çmimi i naftës është ulur sot edhe me dy lekë për litër, duke zbritur në 185 lekë. Bordi i Transparencës njoftoi se në datë 29 Maj 2026, në mbledhjen e radhës vendosi këto çmime:
- Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil i standardit SSH EN 590 do të jetë jo më shumë se 185 lekë/litër, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 173 lekë/litër.
- Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN do të jetë jo më shumë se 173 lekë/litër, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 161 lekë/litër.
Çmimet e caktuara nga Bordi do të hyjnë në fuqi sot, datë 29, në orën 13:00 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit, ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.
Bordi tërheq vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtij vendimi. Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit.
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, së bashku me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, janë angazhuar të mbrojnë interesat e konsumatorëve shqiptarë dhe ruajtjen e parimeve të konkurrencës së ndershme në treg.
SQARIM:
Referuar Aktit Normativ nr. 1, datë 3.4.2026, “Për një shtesë në ligjin nr. 61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë,” të ndryshuar, parashikohet se në rast se çmimi i shitjes me pakicë për gazoilin është më i lartë se 220 lekë/litër, ose për benzinën është më i lartë se 200 lekë/litër, zbatohet niveli 80% i akcizës.
Bazuar në zbatimin e metodologjisë për llogaritjen e çmimeve tavan të shitjes me pakicë, çmimet janë nën kufirin e Aktit Normativ nr. 1, datë 3.4.2026, dhe për rrjedhojë niveli i akcizës do të zbatohet i plotë, 100%.
Gazoili për peshkim
Referuar Ligjit 9975, datë 28.07.2008 “Për taksat Kombëtare”, neni 9 “Përjashtimet nga pagimi i taksave kombëtare”, pika 6 parashikohet: “Përjashtohen nga pagimi i taksës së qarkullimit dhe taksës së karbonit anijet e peshkimit.”
Gjithashtu, referuar nenit 10, pika 3, germa “d” të Ligjit 61/2012 “Për akcizat në RSH”, parashikohet përjashtimi nga detyrimet e akcizës i karburantit për anijet e peshkimit, në sasitë, kushtet dhe kriteret e përcaktuara në VKM.
Referuar metodologjisë së përcaktuar në aktin normativ, çmimi i shitjes së gazolit për peshkim rezulton 90 lekë.
