Ulje çmimesh: Nafta në 206 lekë/litër, Benzina 184 lekë/litër

Bordi i Transparencës ul çmimin e naftës në 206 lekë për litër

Bordi i Transparencës ka vendosur të ulë çmimin e naftës dhe benzinës.

Në mbledhjen e datës 2 maj, Bordi vendosi:

  • Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil (standardi SSH EN 590) nuk do të jetë më i lartë se 206 lekë/litër, ndërsa çmimi i shitjes me shumicë jo më shumë se 194 lekë/litër.
  • Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë (standardi SSH EN) nuk do të jetë më i lartë se 184 lekë/litër, ndërsa çmimi i shitjes me shumicë jo më shumë se 172 lekë/litër.

Çmimet e caktuara nga Bordi do të hyjnë në fuqi sot, datë 2 maj, në orën 16:00 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit, ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.

I tërheqim vëmendjen të gjithë operatorëve të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtij vendimi. Në rast shkeljesh të konstatuara nga operatorë të ndryshëm, do të vendoset pezullimi i aktivitetit.

Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, së bashku me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, janë angazhuar të mbrojnë interesat e konsumatorëve shqiptarë dhe ruajtjen e parimeve të konkurrencës së ndershme në treg.

SQARIM:

Referuar Aktit Normativ nr. 1, datë 3.4.2026, “Për një shtesë në ligjin nr. 61/2012, ‘Për akcizat në Republikën e Shqipërisë,’ të ndryshuar,” parashikohet se në rast se çmimi i shitjes me pakicë për gazoilin është më i lartë se 220 lekë/litër, ose për benzinën është më i lartë se 200 lekë/litër, zbatohet niveli 80% i akcizës.

Bazuar në zbatimin e metodologjisë për llogaritjen e çmimeve tavan të shitjes me pakicë, çmimet aktuale janë nën kufirin e Aktit Normativ nr. 1, datë 3.4.2026. Për rrjedhojë, niveli i akcizës do të zbatohet i plotë, 100%.

Scroll to Top