Ura e Rubikut në Mirditë rrezikon shembjen, Kryebashkiaku ia ngec fajin ARRSH-së
Ura e Rubikut, e vendosur në Mirditë, e cila shërben si lidhje për disa fshatra me Rrugën e Kombit, është në rrezik të shembet. Vërehet se mbajtëset kryesore të strukturës kanë dalë në sipërfaqe dhe janë anuar në disa pika, duke krijuar një rrezik serioz për rrëzimin e urës mbi Lumin Fan.
Pas mbylljes së Urës së Milotit disa muaj më parë, aksi Pllanë-Rubik është shfrytëzuar si rrugë alternative. Për pasojë, Ura e Rubikut është kthyer në një pikë kalimi me rëndësi të madhe për shmangien e ngarkesës së trafikut.
Banorët e zonës shprehin shqetësimin e tyre, duke theksuar se ura është përkeqësuar për shkak të mungesës së investimeve për mirëmbajtjen e saj.
Pas ngritjes së shqetësimit nga qytetarët, Neës24 ka kontaktuar kryebashkiakun e Mirditës, Albert Mëlyshi. Ai ka bërë të ditur se kjo urë aktualisht i përket Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH).
Kryebashkiaku ka deklaruar se pas vënies re të dëmtimit, ARRSH i ka kërkuar Bashkisë Mirditë të hapë unazën verilindore të Rubikut, me qëllim rikonstruksionin e urës.
Megjithatë, pavarësisht marrëveshjes, punimet nuk kanë filluar ende dhe ura, e cila u shërben banorëve të disa fshatrave, rrezikon të shembet.
