Ura e Xhyrës rrëzohet, banorë të bllokuar nga reshjet

Ura e Xhyrës rrëzohet nga shirat, gati 2 mijë banorë të bllokuar

Reshjet e dendura të shiut gjatë katër ditëve të fundit kanë shkaktuar shembjen e urës tip “Beli” në fshatin Xhyrë të Librazhdit, duke bllokuar lidhjen kryesore me qytetin. Rreth 1 mijë e 700 banorë përballen me vështirësi, pasi e vetmja rrugë alternative lidhëse kalon përmes fshatit Qukës, rreth 30 minuta larg, dhe ura është ende e pasigurt për kalim.

Banorët e fshatit Xhyrë shprehen për situatën e vështirë dhe rrezikun që paraqet ura e shembur. “Si nuk është e vështirë, makinat s’kalojnë!”, shprehet një banor. Një tjetër shton se janë të detyruar të ecin në këmbë për rreth një orë.

Kryetari i Bashkisë Librazhd, Mariglen Disha, po monitoron punimet për rikonstruksionin e urës. Ai u shpreh se Bashkia ka marrë të gjitha masat për të siguruar kalimin e banorëve, duke hapur një rrugë të vjetër, por të sigurt. Disha falenderoi punonjësit e emergjencave civile që kanë punuar pa ndërprerje gjatë këtyre ditëve të vështira.

“Jemi sot këtu në fshatin Xhyrë, ku për shkak të prurjeve të shumta të shirave të fundit, u dëmtua këmba e urës Xhyrë. Bashkia Librazhd ka filluar punë, për rikonstruksionin e rrugës së vjetër, që lidh fshatin Xhyrë me fshatin Qukës dhe dua të falënderoj të gjithë punonjësit që po merren me rikonstruksionin e kësaj rruge. Po punojnë me dy turne, në shi, në të ftohtë, në baltë dhe shpresoj që brenda kësaj jave rruga e vjetër të jetë e aksesueshme.”, tha Disha, duke shtuar se pret gjithashtu që ura të rikonstruktohet për një muaj.

Fshati Xhyrë mbetet një nga njësitë administrative më të mëdha në Bashkinë e Librazhdit, dhe ura është një element jetik për banorët.

Scroll to Top